Vaksina antigrip është mbrojtja më e mirë dhe më efikase kundër virozave respiratore të shkaktuara nga virusi i gripit.
Ky mesazh i Ministrisë së Shëndetësisë u përcoll të enjten (23 janar) nga Silva Bino, shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP).
"U sugjerojmë të gjithë qytetarëve, të cilët janë sidomos mbi moshën 60 vjeç apo kanë sëmundje kronike, si diabet, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje kronike të veshkave apo të tjera, duhet të vaksinohen ndaj gripit, sepse nuk është vonë.
Ajo është falas dhe po kryhet në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin për grupet e rrezikuara. Kujdesu për shëndetin tënd, vaksinohu kundër gripit!"
Mesazhi i znj. Bino vjen në një kohë kur vendi ynë është në sezonin e gripit, njësoj si vendet ne rajonin evropian dhe në hemisferën veriore.
"Ky është një sezon normal gripi. Trendi i infeksioneve respiratore dhe i gripit është i njëjtë me vitin që shkoi. Shtrimet në spitale janë të njëjta. Pra, nuk kemi një grip me forma më të rënda. Por, natyrisht që jemi në sezon gripi dhe duhet të jemi të kujdesshëm," u shpreh znj. Bino.
Ministria e Shëndetësisë, që vë theksin në kryerjen e vaksinës antigrip, bën me dije se të gjithë personat që nuk e kanë kryer janë në kohë, pasi sezoni i gripit sapo ka nisur dhe do të jetë prezent edhe gjatë muajit shkurt.
Deri më tani sipas shifrave zyrtare të Ministrisë janë përdorur 75 për qind e vaksinave të shpërndara dhe janë vaksinuar rreth 30 për qind e personave mbi 65 vjeç.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh.al/