RTSH 24 Live

Ekonomi

Shqipëria rrit bashkëpunimin me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për fuqizimin e sektorit të bujqësisë

25/09/2024

Shqipëria rrit bashkëpunimin me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për fuqizimin e sektorit të bujqësisë

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi të mërkurën një takim me ministrin e Bujqësisë të Kosovës, Faton Peci dhe zëvendësministrin e Bujqësisë të Maqedonisë së Veriut, Flakon Bexheti.

Takimi u mbajt në kuadër të takimit të 18-të vjetor të ministrave të bujqësisë së Evropës Juglindore. Ministrja Denaj bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua bashkëpunimi ndërqeveritar për fuqizimin e sektorit të bujqësisë.

Në takimin e 18-të vjetor të ministrave të bujqësisë së Evropës Juglindore, ku u diskutua për të ardhmen e bujqësisë së rajonit, ministrja Denaj theksoi angazhimin për të transformuar bujqësinë shqiptare në rrugën drejt BE-së, një proces që kërkon harmonizimin me Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP).

Palët vunë theksin në faktin se rruga e vetme e përbashkët është ajo e përparimit të “Axhendës së Gjelbër” nëpërmjet procesit të Berlinit, për t’i dhënë zgjidhje sfidave të ndryshimeve klimatike, dinamikave të tregjeve dhe ndikimit të lëvizjeve demografike me të cilat po përballet bujqësia si sektor.

/ rtsh.al /