RTSH 24 Live

Kulturë

Shqipëria në panairin e Torinos, mbi 100 autorë, 10 shtëpi botuese në stendën “Kronikë në Gur”

21/05/2023

Shqipëria në panairin e Torinos, mbi 100 autorë, 10 shtëpi botuese në stendën “Kronikë në Gur”

Në pavijonin e titulluar si romani i Kadaresë, “Kronikë në gur”, gjen për herë të parë veprën e plotë të Kadaresë në shqip, diskutime për veprën e tij, veprën në italisht të Fatos Kongolit, Besnik Mustafajt, Ylljet Aliçkës, Tom Kukës, Bashkim Shehut, Virgjil Mucit, Ardian Kycykut, Ardian Ndrecës etj, apo shkrimtarëve shqiptare italofone, Anilda Ibrahimi, Ornel Vorpsi, Lea Ypi, botuar në italisht nga shtëpi të mëdha botuese si Einaudi apo Feltrinelli e autoret vetë të pranishme duke rrëfyer veten dhe Shqipërinë ne 40 aktivitete, edhe mbi letërsinë arbëreshe, për Petro Markon, Jakov Xoxën teksa edhe "Lumi i vdekur" është botuar në italisht, në panairin që këtë vit titullohet: “Përmes pasqyrës” si një udhëtim mes fantastikes dhe reales, nga fëmijëria tek bota e të rriturve, nga e shkuara tek e ardhmja, ku rëndësi të madhe i është dhënë grave dhe fëmijëve.

Në ceremoninë e hapjes, pasi ministri i Kulturës Gennaro Sangiuliano i mëshoi lirisë së shpirtit që zhvillohet përmes leximit, guximit për të përplasur ide sepse kësisoj vjen zhvillimi dhe se kultura është arma e vetme që mund të zhbëjë nazionalizmin, të sjellë paqen ne Ukraine, presidenti i Senatit, Ignazio La Russa vlerësoi praninë e Shqipërisë në këtë panair dhe kujtoi lidhjet e tij të hershme me shqiptarët.

 “E dua Shqipërinë edhe në kujtim të tranzicionit të vështirë që ajo ka kaluar. Kam pritur të parët emigrantë që mbërritën nga Shqipëria, që për ne ishte një vend kulturalisht i mbyllur, i panjohur. Ne selinë e Lëvizjes Sociale Italiane e kthyem në qendër pritjeje dhe nuk u penduam kurrë për këtë, edhe pse patëm ndonjë problem”, tha Ignazio La Russa.

“Për dekada shumë njerëz kanë parë një Shqipëri të gurtë të padepërtueshme, por kush ia doli të depërtojë në atë periudhë të errët ka gjetur një thesar të mrekullueshëm. Në pavijonin shqiptar do gjeni shpirtin e një kombi të ribërë në letërsi si forma më e lartë e mendimit”, tha Margariti.

Nuk ka munguar ne panair as kantautori Ermal Meta, që pati një diskutim të gjerë për romanin e tij, “Domani e per sempre”, sot e përgjithmonë, që i vendos ngjarjet në Shqipëri gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

 “Kam miq të dashur në Bashkinë e Tiranë që teksa po shkruaja romanin, më ndihmuan për të parë dokumenta të pabesueshëm se si regjimi komunist hynte thellë e dhunshëm te shpirti i njerëzve, te liria e tyre”, tha Meta.

Por që Shqipëria fitoi statusin e vendit të ftuar në një prej panaireve më të mëdhenj të librit në Europë, e në një prej vendeve më mike të saj, në Itali kjo ndodhi edhe falë drejtorit të këtij panairi, Nicola LaGioia, shkrimtarit puljez fitues i çmimit më të rëndësishëm letrar italian, Strega 2015, i botuar dy herë në shqip nga Toena me romanet “Egërsia dhe Qyteti i të gjallëve”.

“Shqipëria e ka pasur një prani të vazhdueshme në panairin e Torinos. Me institucionet kulturore në Shqipëri jemi ndjerë mjaft mirë. Unë jam nga Bari dhe për mua shqiptarët janë vëllezër, njoh botues si Besa Muci që botojnë letërsinë shqipe, e dua Kadarenë tuaj, kam qenë në panairin e librit në Tiranë dhe kam parë si rritet qyteti dhe mjedisi letrar. Autorët shqiptarë meritojnë të jenë të njohur e shpresoj që ata dhe veprat e tyre të shtohen edhe falë kësaj nisme”, tha Nicola LaGioia .

/rtsh/