Në datat 11-14 Shkurt 2025, Shqipëria do të jetë pjesë e BIOFACH 2025, një nga panairet më të rëndësishme ndërkombëtare për produktet organike, i cili mbahet në Qendrën Ndërkombëtare të Ekspozitave Nuremberg Messe në Gjermani.
Pjesëmarrja shqiptare në këtë event prestigjioz organizohet nga AIDA (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve), në bashkëpunim me ITC (International Trade Centre) dhe programin SIPPO Albania, duke ofruar një platformë të rëndësishme për promovimin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Në Pavijonin Shqiptar, i pozicionuar në Hall 5, Stand 171, do të prezantohen: bimë medicinale dhe aromatike (MAP); vajra esencialë; vaj ulliri.
Rëndësia e BIOFACH për Shqipërinë
BIOFACH ofron një mundësi unike për të ekspozuar produktet organike shqiptare përballë një audience globale të përbërë nga distributorë, importues dhe profesionistë të industrisë organike. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, synohet të rritet ndërgjegjësimi për cilësinë e produkteve shqiptare dhe të krijohen ura të reja bashkëpunimi në tregjet ndërkombëtare.
Falë mbështetjes së AIDA, ITC dhe SIPPO Albania, Shqipëria ka mundësinë edhe këtë vit të prezantojë potencialin e saj të pasur dhe të kontribuojë në promovimin e sektorëve kyç si MAP, vajrat esencialë dhe vaji i ullirit – produkte të certifikuara dhe të qëndrueshme, që pasqyrojnë traditën dhe përkushtimin e prodhuesve vendas.
Fokusi tek eksporti dhe qëndrueshmëria
Pjesëmarrësit shqiptarë në BIOFACH 2025 janë kompani me përvojë, të përkushtuara ndaj cilësisë dhe qëndrueshmërisë, dhe të pajisura me certifikata ndërkombëtare që dëshmojnë standardet e larta të produkteve të tyre.
Vizitorët e panairit janë të ftuar të vizitojnë Pavijonin Shqiptar dhe të njihen nga afër me produktet organike të certifikuara, të cilat reflektojnë potencialin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në sektorin organik global.
/rtsh.al/