Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj mori pjesë në Forumin Global për Bujqësinë dhe Ushqimin (GFFA), që mbahet në kuadër të Javës së Gjelbër, në Berlin të Gjermanisë.
Ministrja Denaj, ishte e ftuar në një panel diskutimi mbi rëndësinë e bioekonomisë qarkulluese për reduktimin e humbjeve dhe mbetjeve ushqimore.
Denaj theksoi se “integrimi i praktikave të bioekonomisë në sektorin bujqësor dhe industrinë ushqimore, të ndërthurura me ndërgjegjësimin, janë çelësi për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin ekonomik, duke mundësuar sisteme ushqimore më efikase dhe të qëndrueshme”.
Ajo shprehu angazhimin e Shqipërisë në promovimin e praktikave të gjelbra dhe gatishmërinë për bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe një kornizë ligjore të përafruar me BE, që mbështet këto iniciativa, në rrugën drejt “Shqipëria 2030”.
GFFA është një konferencë ndërkombëtare mbi çështjet qendrore me rëndësi jetike për politikat globale bujqësore dhe ushqimore. Mbahet çdo vit në Berlin, organizuar nga Ministria Federale e Ushqimit dhe Bujqësisë e Gjermanisë.
/ rtsh.al /