RTSH 24 Live

Botë

Shkon në mbi 11 mijë numri i të vdekurve/ Erdogan shkon në rajonin e goditur nga tërmeti, ankohen të shpëtuarit: Kemi fëmijët nën rrënoja, s'po na ndihmon kush

08/02/2023

Shkon në mbi 11 mijë numri i të vdekurve/ Erdogan shkon në rajonin e goditur nga tërmeti, ankohen të shpëtuarit: Kemi fëmijët nën rrënoja, s'po na ndihmon kush

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka udhëtuar sot në zonën më të goditur nga tërmeti.

Ai do të vizitojë Kahramanmaras dhe Hataj si dhe Pazarcik, që janë qendra e tërmetit. Shumë prej tyre kanë shprehur zemërim për mungesën e dukshme të veprimit të qeverisë. Ata pretendojnë se nuk kanë marrë akoma ndihma, transmeton BBC.    

Një grua, Arzu Dedeoglu, i tha një gazetari të BBC mbrëmë në lagjen Numune të Iskenderun, në Turqinë jugore, se dy mbesat e saj kishin ngecur nën rrënoja dhe se nuk kishte mbërritur asnjë ndihmë. Ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në mbi 11 mijë dhe pothuajse 50 mijë të plagosur. 

“Ne kemi dy fëmijë nën rrënoja, Aysegul dhe Ilayda. Ata janë zhdukur tani, jam i sigurt që tashmë janë zhdukur. Pse nuk mund të kishin ardhur më herët?"

Një tjetër e mbijetuar në qytetin jugor të Antakias, Melek, 64 vjeç është ankuar duke thënë se “ku janë çadrat, ku janë kamionët me ushqim?”

“Ne nuk kemi parë asnjë shpërndarje ushqimi, ndryshe nga fatkeqësitë e mëparshme në vendin tonë. Ne i mbijetuam tërmetit, por do të vdesim këtu për shkak të urisë ose të ftohtit”, është shprehur ajo.

Të tjerë në mediat sociale janë shprehur se ka pasur mangësi serioze në reagimin e qeverisë, ku disa pretendojnë se disa nga rajonet më të goditura janë lënë pas dore.

/rtsh.al/