RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Shkon në 59 numri i viktimave, Maqedonia e Veriut pritet të shpallë 7 ditë zie

16 orë para

Shkon në 59 numri i viktimave, Maqedonia e Veriut pritet të shpallë 7 ditë zie

Ka shkuar në 59 numri i viktimave si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha se në mesin e viktimave është edhe një polic.

“Sipas informacioneve të cilat i kemi, kanë ndërruar jetë 59 persona, prej tyre 35 janë identifikuar, nga të identifikuarit, 31 janë nga Koçani, 4 nga Shtipi. Numri i të lënduarve sipas informacioneve që i mora rreth orës 12 është 155 persona, të njëjtit janë në shumë spitale në vend”, tha Toshkovski.

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN.

Në momentin e shpërthimit të fishekzjarrit, lënda duket se ka prekur tavanin, i cili është ndërtuar me material të ndezshëm dhe brenda një kohe të shkurtër është përhapur në gjithë diskotekën dhe është krijuar tym i rëndë. Brenda një kohe të shkurtër kanë arritur zjarrfikësit nga qytetet e afërta, ndërsa helikopterët e Ministrisë së Brendshme janë angazhuar për t’i transportuar të plagosurit në klinikat në Shkup”, tha ai.

Ai siguroi se do të ketë përgjegjësi dhe se të gjithë, duke përfshirë ish-funksionarët dhe ata aktualë, duhet të ndjejnë përgjegjësi morale për aksidentin.

Sakaq Qeveria do të marrë vendim për 7 ditë zie për shkak të tragjedisë.

/rtsh.al/