RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Ndotja e ajrit e lartë, Maqedonia e Veriut firmos me kompaninë gjermane për instalimin e sistemeve të filtrimit

19/02/2025

Ndotja e ajrit e lartë, Maqedonia e Veriut firmos me kompaninë gjermane për instalimin e sistemeve të filtrimit

Shkalla e lartë e ndotjes së ajrit në Shkup dhe në pjesë të tjera të Maqedonisë së Veriut vazhdon të jetë një shqetësim për banorët sidomos gjatë stinës së dimrit.

Autoritetet thonë se ndotësit kryesorë janë ekonomitë familjare.

Me qëllim filtrimin dhe rritjen e cilësisë së ajrit, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev ka nënshkruar sot një marrëveshje me vlerë prej një milionë euro, me kompaninë gjermane  EKOTIP SHPKNJP Shkup.

Siç informuan zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva dhe Lambro Patçe nga EKOTIP pas nënshkrimit të Marrëveshjes, përfaqësuesit e MANN & HUMMEL janë për vizitë në vend.

Vazhdojnë t’i shqyrtojnë mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm dhe për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme plotësuese dhe afatgjate për aerondotjen.

Gjithsej 255 sisteme për filtrim të ajrit me standard mjekësor për mbrojtje nga bakteriet, viruset, alergjenët,… do të sistemohen në kopshte, shkolla, spitale dhe institucione tjera në vend. Sistemet janë nga prodhuesi gjerman me renome MANN & HUMMEL, ndërsa i dhuron kompania vendore EKOTIP SHPKNJP Shkup për të cilën sot ishte nënshkruar Marrëveshje me Qeverinë.

“Ndotja e ajrit mbetet një nga sfidat më serioze mjedisore dhe shëndetësore në Maqedoni. Në kuadër të përpjekjeve për marrjen e masave të rëndësishme për uljen e ndotjes së ajrit përmes projekteve kapitale, Qeveria po punon në mënyrë aktive në strategji afatgjate përmes investimeve në zgjidhje të qëndrueshme energjetike, rritjes së kontrollit të emetimeve dhe mbështetjes për teknologjitë e gjelbra. Por duke qenë se zbatimi i këtyre masave kërkon kohë, donacione të tilla të shpejta dhe efikase nga sektori privat janë thelbësore për mbrojtjen para së gjithash të shëndetit të qytetarëve”, tha Miteva.

Sipas saj, investimi në shëndetin e qytetarëve është prioritet i qeverisë.

“Megjithatë, suksesi në këtë fushë varet edhe nga përpjekjet e përbashkëta të të gjithë sektorëve. Prandaj, si Qeveri, veçojmë në mënyrë të veçantë kontributin e rëndësishëm të sektorit privat, siç është ky donacion i 255 sistemeve të filtrimit të ajrit në vlerë prej 1 milion euro. Shpresojmë që ky shembull të shërbejë si frymëzim për kompanitë e tjera që të përfshihen dhe të kontribuojnë në luftën e përbashkët për ajër më të pastër dhe natyrisht, një shoqëri më të shëndetshme. Qeveria mbetet e përkushtuar për të marrë masa kundër ndotjes së ajrit”, theksoi zëdhënësja.

Edhe Patçe nga EKOTIP apelon që biznesi të përfshihet në mbështetjen e masave kundër aerondotjes.

“Thonë se ajri i pastër është e drejtë e njeriut dhe pjesë e të gjitha akteve dhe konventave ndërkombëtare. Është një nga çështjet më të ndjeshme për ne dhe ne të gjithë duhet ta bëjmë pjesën tonë në këtë drejtim. I bëj thirrje bizneseve të ndjekin shembullin tonë. Qeveria po punon për strategji, por gjithçka kërkon kohë. Le të kontribuojmë të gjithë, komuniteti i biznesit luan një rol kyç në këtë”, theksoi Patçe.

Lidhur me pastruesit e ajrit të dhuruar, ai shpjegoi se ata janë idealë për mbajtjen e grimcave më të vogla si viruset, bakteret dhe alergjenët, prandaj, theksoi ai, janë të shkëlqyer edhe për kopshte, shkolla, konvikte studentore dhe qendra mjekësore.

/rtsh.al/