RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Ndërkombëtarët për ngjarjen në Koçan - Mesazhe ngushëllimi e ndihme nga Europa e fqinjët, për Maqedoninë e Veriut

15 orë para

Ndërkombëtarët për ngjarjen në Koçan - Mesazhe ngushëllimi e ndihme nga Europa e fqinjët, për Maqedoninë e Veriut

Reagime të shumta për tragjedinë në Maqedoninë e Veriut kanë ardhur po ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe liderët të shteteve të rajonit. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas tha përmes një reagimi në rrjetin social X se ndihej  thellësisht e mërzitur nga lajmi për tragjedinë.

Ngushëllime të gjithë të prekurve nga kjo tragjedi. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. BE-ja ndan dhimbjen me njerëzit e Maqedonisë së Veriut”, shkroi krye diplomatja në X. 

Edhe presidenti Këshillit Evropian, Antonio Costa, reagoi duke thënë se BE solidarizohet me popullin e Maqedonisë së Veriut. “Zemërthyer nga humbja e kaq shumë të rinjve në zjarrin e tmerrshëm në Koçan. Lutjet e mia shkojnë për të gjitha familjet e viktimave të kësaj tragjedie”, shkroi Costa. 

Ngushëllime familjeve të viktimave u shprehu edhe Presidenti bullgar Rumen Radev, i cili tha se kishte biseduar me homologen Gordana Siljanovska-Davkova, të cilës i kishte shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmë mjekësore.

Edhe ministria e jashtme greke në reagimin për tragjedinë u shpreh e gatshme për të ofruar ndihmë mjekësore.  Qeveria serbe shprehu ngushëllime për viktimat, ndërsa njoftoi përmes një komunikatë për mediat edhe shpalljen e datës 18 mars ditë zie.

Ndër reagimet e para për tragjedinë ishin edhe ato të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.  “Ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe qëndrojmë pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë njerëzve të Maqedonisë së Veriut në këtë kohë të vështirë”, shkroi Osmani. Tragjedia në Koçan është konsideruar nga autoritet maqedonase si një nga më të rëndat në vite.

/rtsh.al/