RTSH 24 Live

Kronika

Sherr në një lokal në Prizren, qëllohet për vdekje me armë zjarri 31-vjeçari nga Kukësi, plagoset shoku i tij

03/01/2023

Sherr në një lokal në Prizren, qëllohet për vdekje me armë zjarri 31-vjeçari nga Kukësi, plagoset shoku i tij

Një 31-vjeçar nga Kukësi ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në Prizren. Bëhet me dije se ngjarja është regjistruar në një lokal nate në dalje të Prizrenit, ku 31-vjeçari i identifikuar si Visart Cengu dhe shokët e tij, Rufgen Shehu dhe Arben Basha janë konfliktuar me një shqiptar të Kosovës, Dibran Hoxhaj, që ishte edhe pronari i lokalit.

Sipas mediave në Kosovë, konflikti ka nisur brenda lokalit, ku shkaku ka qenë fatura prej 400 eurosh që rinjtë refuzuan të paguanin. Situata ka agravuar, ndërsa 31-vjeçari dhe 2 shokët e tij kanë tentuar të largohen me makinë, por Hoxhaj ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre, ku për pasojë mbetën të plagosur 31-vjeçari dhe shoku i tij, Rufgen Shehu.

Pas ngjarjes, 3 të rinjtë u nisën drejt pikës kufitare të Morinës ku treguan se si ndodhi gjithçka, ndërsa të plagosurit u dërguan në Spitalin e Kukësit, por Cengu nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.  

Hoxhaj është vënë në pranga, ndërsa grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:

Në Morinë, rreth orës 04:25, të mëngjesit, kanë hyrë për në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit, shtetasit V. C., 31 vjec, dhe R. Sh., 27 vjeç, që transportoheshin me automjet nga shtetasi A . B., të tre nga Kukësi, ku shtetasit V. C., dhe R. SH , ishin të plagosur me armë zjarri në Prizren të Kosovës.

Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Në lidhjen me ngjarjen, menjëherë nga DVP Kukës është ngritur grupi hetimor i cili po kryen veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës.

Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, ku pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovar.

Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.

Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit.

Grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/rtsh.al/