Për herë të parë në Shqipëri do të fillojë implementimi i një moduli i cili synon trajnimin e studentëve të infermierisë, por edhe infermierëve në sistemin spitalor për t’u përmirësuar në dhënien e shërbimit shëndetësor cilësor dhe të barabartë të gjithë pacientëve, pavarësisht shoqërive që i përkasin.
Universiteti i Shkodrës dhe i Gjirokastrës përfitojnë si partnere të një projekti ndërkombëtar të financuar nga BE.
"Qëllimi i këtij projekti është që të përmirësojmë dhe të rrisim kapacitetet tona se si t’i japim shërbim të gjitha grupeve shoqërore. Mendohet që në vitet në vijim do të shtohen më shumë fenomeni i emigracionit, pra presim që të ketë më shumë diversitet kulturor. Këto janë parashikime të kryera nga specialistë të shkencave sociale. Kështu që lind nevoja që infermierët të trajnohen që të jenë të aftë të japin shërbim cilësor të gjithë individëve që paraqiten për shërbim mjekësorë”, tha drejtuesja e projektit, Zhenisa Çuni.
Ndërsa në Shqipëri shënohet për herë të parë implementimi i një moduli të tillë, universitetet e vendeve të zhvilluara tashmë i kanë të përfshira në kurrikula.
“Vendet e tjera kanë përfshirë në kurrikula detyrë universitare, module që kanë të bëjnë pikërisht me këto”, shtoi Çuni.
Ky projekt do të nisë implementimin në vitin e ardhshëm akademik, ndërsa aktualisht është duke u punuar për hartimin e modulit.
/rtsh.al/