RTSH 24 Live

Aktualitet

Shëngjin/ Vritet në lokalin e tij Ardian Nikulaj, kandidat i PSD për Këshillin Bashkiak në 14 maj. Momenti i ekzekutimit

19/04/2023

Shëngjin/ Vritet në lokalin e tij Ardian Nikulaj, kandidat i PSD për Këshillin Bashkiak në 14 maj. Momenti i ekzekutimit

Vritet me armë zjarri në Shëngjin Ardian Nikulaj, kandidati për deputet i PSD në zgjedhjet e vitit 2021, i cili po ashtu në zgjedhjet vendore të 14 Majit ishte kandidat i kësaj partie për këshillin bashkiak.

Ngjarja ka ndodhur këtë të mërkurë (19 prill) në Shëngjin, në lokalin e tij “Coral” në pedonalen e Shëngjinit..

Policia e Lezhës njoftoi orën e ekzekutimit.

Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi A. N. 50 vjeç, banues në Shëngjin.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje."

Biznesmeni u ekzekutua në sy të vjehrrit

Ardian Nikulaj kishte vetëm 5 minuta që kishte hyrë në lokalin e tij. Ndërsa ka qenë duke folur me vjehrrin e tij, autori i veshur si polic rrugor, me skafandë motori në kokë, jelek fosforeshent, dhe një maskë anticovid ka hyrë dhe e ka qëlluar me pistoletë. Ekzekutimi ka ndodhur në sy të vjehrrit të viktimës dhe e gjithë skena është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit. 

 Pas krimit dyshohet se autori është ndihmuar nga një person i dytë për tu larguar nga vendi i ngjarjes.

Në kërkim autorët

Policia sqaron se ka ngritur pika kontrolli, si dhe ka rrethuar zonën ku vijojnë kontrollet për të bërë të mundur kapjen e autorit/ve. Ndërkohë grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.

Po kush ishte Ardian Nikulaj?

Ardian Nikulaj vinte në këto zgjedhje të pjesshme të 14 Majit si kandidat i Partisë Social Demokrate për Këshillin Bashkiak Lezhë, ndërsa edhe në vitin 2021 ka qenë pjesë e garës elektorale, nën siglën e të njëjtës parti si kandidat për deputet.

Më herët ka ushtruar edhe detyrën e kreut të ALUIZNIT për Lezhën ndërsa në vitin 2003 kishte ndërruar mbiemrin nga Marku në Nikulaj. Sikundër vetë kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit në KQZ, Nikulaj rezulton se ishte dënuar me 4 muaj burg për armëmbajtje pa leje në vitin 2003. Ndërsa në 2006-ën ishte dënuar me gjobë për kontrabandë dhe falsifikim.

Burimet thanë se kohët e fundit biznesmeni i njohur, baba i katër fëmijëve,  lëvizte me automjet të blinduar. Pistat e hetimit deri tani janë ajo e hakmarrjes, e konflikteve të biznesit por nuk përjashtohet as e kaluara e tij.

Reagon Ndreu dhe Ndreca 

Kandidati për kryetar bashkie i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryebashkiak i Lezhës, Pjerin Ndreu ka shkuar në vendin e krimit për tu njohur me nga afër me ngjarjen ndërkohë që në një postim në facebook kërkoi zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes. 

"I tronditur nga ngjarja e sotme ne Shengjin ku ngeli i vrare Ardian Nikulaj, biznesmen dhe anetar i keshillit bashkiak! Nje ngjarje e tille eshte cenim i rende i rendit dhe sigurise publike ne qytetin tone! Kerkoj me force nga organet e rendit dhe prokurorise qe te zbardhin sa me shpejt ngjarjen, per te vene perballe ligjit autoret e kesaj ngjarje te shemtuar! Shpreh ngushellimet e mia familjes se tij dhe te afermeve per kete humbje kaq tragjike!" 

Edhe deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Ndreca kërkoi zbardhjen një orë e më parë të vrasjes së Ardian Nikulajt.

“Ngjarja e rëndë e ndodhur sot, ku mbeti i vrarë Ardian Nikulaj, na ka tronditur shumë të gjithëve. Ardiani ishte një mik fort i mirë e i respektueshëm për të gjithë. Organet ligj zbatuese duhet të veprojnë me force, për ta zbardhur një ore e më parë këtë ngjarje të rendë. Ngushëllime familjes, gjithë miqve e shokëve. Të qoftë dheu i lehtë miku im. Shpirti të pushoftë në paqe”, tha Ndreca.

 

/rtsh.al/