Kreu i LZHK, Dashamir Shehi propozoi të hënën në Kuvend që qeveria të japë 300 mln euro për të subvencionuar të gjitha pensionet nga 200 mijë lekë e poshtë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend ku po diskutohet projektbuxheti 2025, Shehi theksoi se s’ka nevojë për reformë të re për pensionet.
"Tani që buxheti i 2025 është më i madh dhe më i rritur, unë propozoj pas asaj që dëgjova nga Rama, që tani do të bëjë një ‘donacion’, për gjelin e detit, pastaj do të bëjë edhe një në pranverë, ai i ballokumeve, them që hajde të bëjmë një shportë të madhe, por që është e domosdoshme dhe e vetmja mënyrë, rreth 300 mln për të subvencionuar të gjitha pensionet nga 200 mijë lekë e poshtë. Nuk bëhet në atë mënyrë si tha Rama. Kjo është sakrificë për këtë buxhet, por nuk është aq e tmerrshme. Hiqi 10% nga investimet publike dhe po e them me qetësinë më të madhe se para një jave diskutuam buxhetin faktik të 2023. Mungonin 160 mln që nuk ishin investuar. Ia marrim nga ky buxhet, mjafton të bëhen ca tendera më mire. 55 mln i ka parashikuar vetë qeveria për indeksim dhe bonus. 90 mln i marrim borxh në treg të brendshëm dhe ja ku u bë një shportë që do mbushte pensionet e vogla. Vit për vit rritet buxheti, kjo shportë do balancojë veten. S’ka nevojë për skema të reja pensionesh. E aprovuam para 10 vitesh, mirë apo keq po funksionon. Nuk nxjerr gjë skema, fare.” tha Shehi.
/rtsh.al/