Shefi i UNRWA-s u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që të ndërhyjnë para se ndalimi ndaj agjencisë palestineze të refugjatëve nga ana e Izraelit, do të ketë pasoja të rënda për të gjithë Lindjen e Mesme.
Ndalimi i miratuar nga parlamenti i Izraelit të hënën pritet të kufizojë ashpër UNRWA-n nga operimi në territoret që Izraeli pushton dhe është kritikuar ashpër nga shumë vende perëndimore dhe organizata humanitare.
Lëvizja e Izraelit do të thotë se misioni i UNRWA për të ofruar kujdes shëndetësor, arsim dhe ushqim për miliona refugjatë palestinezë "mund të bëhet i pamundur pa ndërhyrjen vendimtare të Asamblesë së Përgjithshme", tha kreu i UNRËA, Philippe Lazzarini në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Pasojat për palestinezët, për Izraelin dhe për rajonin do të jenë të rënda”, shtoi ai.
Ndalimi i Izraelit pason fushatën e tij intensive për të delegjitimuar UNRWA-n pasi marrëdhëniet me OKB-në kanë arritur në nivelin më të ulët historik mes luftës në Gaza.
Izraeli akuzoi më parë stafin e UNRWA-s për pjesëmarrje në sulmin e Hamasit më 7 tetor, gjë që agjencia e mohoi me forcë.
Në letër, Lazzarini tha se ndalimi mund të "rrezikonte kolapsin e operacioneve të UNRWA në Bregun Perëndimor (përfshirë Jerusalemin Lindor)" dhe do të kishte një "ndikim katastrofik në përgjigjen ndërkombëtare ndaj krizës humanitare në Gaza".
“U bëj thirrje shteteve anëtare të ndërmarrin veprime për të mbështetur UNRËA-n në përpjesëtim me peshën e situatës dhe rreziqet”, tha ai në një postim në X.
/rtsh.al/