RTSH 24 Live

Botë

SHBA shpall "non grata" ambasadorin e Afrikës së Jugut pas kritikave ndaj Trump

14 orë para

SHBA shpall "non grata" ambasadorin e Afrikës së Jugut pas kritikave ndaj Trump

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha të premten se ambasadori i Afrikës së Jugut nuk është më i mirëpritur në SHBA.

Kryediplomati amerikan e bëri njoftimin me anë të një postimi në rrjetin social "X", duke e shpallur "persona non grata" ambasadorin Ebrahim Rasool, i cili ditë më parë e akuzoi presidentin Donald Trump se po promovon "supremacinë e racës së bardhë".

"Ambasadori i Afrikës së Jugut në Shtetet e Bashkuara nuk është më i mirëpritur në vendin tonë madhështor. Ebrahim Rasool është një politikan që kapet pas racave dhe e urren Amerikën dhe urren Presidentin. Nuk kemi çfarë të flasim me të, ndaj ai konsiderohet PERSONA NON GRATA," njoftoi z. Rubio.

Presidenti Trump muajin e kaluar firmosi një urdhër ekzekutiv, që ndalonte ndihmat për Afrikën e Jugut, për shkak të "veprimeve ekstreme" të ndërmarra nga vendi, duke iu referuar ligjit për shpronësimin e tokave, që administrata amerikane pretendon se shkon në dëm të minoritetit të bardhë afrikaner. Afrikanerët zotërojnë shumicën e tokës në Afrikën e Jugut, 30 vjet pas fundit të aparteidit.

Miliarderi Elon Musk, i cili po ndihmon qeverinë e re amerikane të ulë kostot e fryra nga shpërdorimet publike dhe investimet jashtë vendit, deklaroi javën e kaluar se kompania që ai ka, Starlink, "nuk do të lejohet të ofrojë internet për Afrikën e Jugut, sepse unë nuk jam me ngjyrë". /Politico

/rtsh.al/