Ditë më parë Elbasani u trondit nga vetëvrasja e 28-vjeçares, infermiere në repartin e Neurologjisë në spitalin e qytetit.
Ngjarja solli në vëmendje problematikën e lidhur me shëndetin mendor.
Specialistët e fushës thonë se ankthi dhe depresioni kanë shkaqe të ndryshme, por ndër më kryesoret rendisin papunësinë, situatën financiare, si dhe marrëdhëniet në familje.
"Jemi duke jetuar një jetë që na shkakton vështirësi të mëdha për përballimin e stresit. Ndjenjat e dështimit ose presioni familjar... disa persona të caktuar mendojnë që nuk janë mjaftueshëm, nuk kanë bërë mjaftueshëm, nuk ndihen mirë me veten. Ky lloj presioni u shkakton shumë stres, që me kalimin e kohës mund të kthehet në depresion," thotë psikologia Sonila Jaupbashi.
Ajo ndalet edhe tek paragjykimi që u bëhet personave të prekur nga depresioni dhe ankthi, ndërsa bën apel për t'u këshilluar tek specialistët e fushës, në mënyrë që ndihma të jetë e menjëhershme dhe profesionale, dhe për të parandaluar rastet fatale.
"Depresioni, ankthi apo problemet psikologjike nuk po merren si diçka serioze, nuk po adresohen atje ku duhet. Ka prindër neglizhentë, ka të afërm të cilët nuk i marrin seriozisht fëmijët e tyre dhe ja ku jemi sot në këto situata tragjike," shprehet psikologia.
Kohët e fundit në qarkun e Elbasanit, specialistët e shëndetit mendor kanë vënë re një shtim të rasteve të të prekurve nga depresioni, sidomos tek moshat e reja.
Ata bëjnë thirrje për një sensibilizim edhe të familjes, e cila duhet të jetë e vëmendshme për të kërkuar ndihmë në momentin e duhur tek specialistët e fushës.
/rtsh.al/