RTSH 24 Live

Sociale

Koçiu pret homologun e saj italian, marrëveshje bashkëpunimi për shërbimin neonatal në 4 spitale në vend

10/03/2025

Koçiu pret homologun e saj italian, marrëveshje bashkëpunimi për shërbimin neonatal në 4 spitale në vend

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka pritur sot në një vizitë zyrtare në Tiranë, ministrin e Shëndetësisë të Italisë, Orazio Schillaci.

Kjo vizitë vjen në kuadrin e një bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet dy ministrive homologe në fushën e shëndetësisë, të konkretizuar me një sërë marrëveshjesh dypalëshe.

Në praninë e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe homologut të saj Italian, Orazio Schillaci u nënshkrua Deklarata e Mirëkuptimit mes MSHMS-së dhe Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Tiranë.

Marrëveshja u nënshkrua nga zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli dhe Drejtoresha e Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Tiranë, Stefania Vizzaccaro.

Kjo marrëveshje synon shkëmbimin e praktikave dhe njohurive më të mira në sektorin e shëndetit të nënës-fëmijës dhe të porsalindurve.

Me Ministrin e Shëndetësisë së Italisë, Prof. Orazio Schillaci, hodhëm një hap të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve tona”, tha Koçiu.

Ministrja bëri me dije se nëpërmjet asistencës teknike dhe projekteve të përbashkëta shëndetësore do të rritet cilësia e shërbimeve neonatale në katër spitale kryesore, në maternitetet “Koço Gliozheni” dhe Mbretëresha Geraldinë në Tiranë, si dhe në spitalet e Fierit dhe Dibrës.

Me nënshkrimin e Deklaratës së Mirëkuptimit, angazhohemi për përmirësimin e shërbimeve neonatale në maternitetet e Tiranës, Fierit dhe Dibrës, për të siguruar kujdes më cilësor për nënat dhe foshnjat”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nënvizoi se forcimi i partneritetit mes vendeve tona është një garanci e shkëlqyer për një sistem shëndetësor më të fortë dhe më cilësor për qytetarët tanë.

/rtsh.al/