RTSH 24 Live

Aktualitet

Sekuestrohet incineratori i Tiranës, SPAK: Zoto e Mërtiri pronarë të kompanive koncesionare, përfituan mbi 400 mln lekë

01/08/2023

Sekuestrohet incineratori i Tiranës, SPAK: Zoto e Mërtiri pronarë të kompanive koncesionare, përfituan mbi 400 mln lekë
Në foto, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka vendosur sekuestrimin e incineratorit të Tiranës pasi hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) zbërthyen skemën si Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri fshehën gjurmët prej kompanisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k., e cila ka të drejtën e ndërtimit dhe menaxhimit të incineratorit.

Sipas SPAK, Zoto dhe Mërtiri janë de facto pronarë të kompanisë “Integrated Energy B.V SPV”, por po ashtu edhe të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Holandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.

Hetimet treguan se Zoto dhe Mërtiri përdorën persona dhe shoqëri të tjera për të mos u shfaqur si pronarët e vërtetë të “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k., por vendimet në lidhje me këtë shoqëri dhe me shoqërinë mëmë merreshin nga vetë ata.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Zoto në bashkëpunim me Mërtirin përfituan vlerën monetare prej 409,428,000 lekë në sajë të faturave tatimore të falsifikuara.

Ishte Klodian Zoto ai që paraqiti dhe deklaroi faturat e falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij, “Integrated Energy Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Po ashtu, Zoto dhe Mërtiri dyshohet se zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k. Hetimet zbuluan se nga përfitimet e paligjshme ata blenë për llogari të kësaj kompanie një pasuri të paluajtshme me sipërfaqe 611 metër katror, me vlerë 1 milion euro, në Durrës.

Me vendim të GJKKO janë sekuestruar kompanitë “Integrated Energy B.V SPV”, “Integrated Technology Services”, së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tyre, si dhe sipërfaqja prej 611 m2 e blerë në Durrës.

Në lidhje me këtë aferë është shpallur në kërkim edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, për të cilin ka edhe një urdhërarrest. Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri, por akuzohet për korrupsion pasiv në 6 raste, fshehje pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Hetimet e SPAK provuan se nga data 21 korrik 2012 deri në 10 tetor 2012 ka pasur 138 komunikime telefonike dhe 3 287 mesazhe mes Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit. Po ashtu janë faktuar edhe lidhjet mes Ahmetajt dhe Klodian Zotos. Ahmetaj dyshohet se ka përfituar rreth 500 mijë euro që nga viti 2016 deri më 2020. SPAK ka arritur të zbulojë edhe shkëmbime e-mailesh ku Zoto informohej mbi procedurat për incineratorët.

/rtsh.al/