RTSH 24 Live

Muzikë

Sanremo, histori suksesi - RAI 1, RTSH 1, Radio Tirana 1, transmetim superlativash

11/02/2024

Sanremo, histori suksesi - RAI 1, RTSH 1, Radio Tirana 1, transmetim superlativash

Anxhelina Mango me "La noia" u shpall fituese e edicionit të 74-t të Festivalit të Këngës italiane, Sanremo.

Në skenën e Aristonit zbritën këngëtarë karriere të këngës, sikundër të rinj, të cilët performuan për pesë net para publikut italian dhe atij ndërkombëtar.

Festivali i Sanremos, i cili prej dekadash ndiqet edhe në Shqipëri, këtë vit ka mbërritur krejt ndryshe te publiku shqiptar.

Radiotelevizioni publik Shqiptar e transmetoi drejtpërsëdrejti këtë Festival, përmes gazetarëve Andri Xhahu dhe Elona Jaçellari, me intervista ekskluzive nga artistë shqiptarë.

Në kohë reale ata dhanë opinionet e tyre për këngët dhe interpretuesit e garës më të rëndësishme të këngës italiane.

Xhahu dhe Jaçellari në katër netët e para të Sanremos tërhoqën publikun shqiptar përmes valëve të RTSH 2 dhe Radio Tirana 2, ndërsa natën e pestë finale ishin drejtpërdrejt në RTSH 1 dhe Radio Tirana 1.

Kjo risi solli për publikun shqiptar artistë që kanë ngritur karrierën e tyre në Festivalin e Këngës në RTSH sikundër është Enxhi Nini, e cila ka qenë edhe violiniste e orkestrës së Sanremos në 2004-n.

"Tashmë janë bërë shumë vite, sepse unë jam paraqitur në Sanremo si violiniste para 20 vitesh," u shpreh artistja Nini.

Pjesë e kësaj mbrëmjeje u bënë edhe Iljard Shaba, i ftuari i Ana Oksës një vit më parë apo Evi Reçi, e akredituar në sallën e shtypit të Sanremos.

Emocionet e netëve të Sanremos, intervistat dhe opinionet për këtë Festival patën interes të jashtëzakonshëm për publikun shqiptar, duke çuar në maksimale nivelin e shikueshmërisë së RTSH-së. Audienca maksimale ka ndikuar edhe në rritjen e interesit për të blerë hapësira publicitare nga tregu i marketingut.

Sanremo 74 është edhe edicioni i fundit që drejtoi Amadeusi, i cili për pesë vite e moderoi atë për pesë vite së bashku me ikonën tjetër të ekranit italian, Fiorello. Ata e lanë Aristonin në mesnatë, duke lënë pas fituese Anxhelina (o. Angelina), e bija e këngëtarit të ndjerë italian, Pino Mango.

/rtsh.al/