RTSH 24 Live

Ekonomi

Sanksionet e SHBA për të frenuar furnizimin rus në Kinë dhe Indi rrit çmimin e naftës

13/01/2025

Sanksionet e SHBA për të frenuar furnizimin rus në Kinë dhe Indi rrit çmimin e naftës

Sanksionet e ashpra dhe gjithëpërfshirëse të SHBA-së ndaj industrisë ruse të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm kanë sjellë rritjen e çmimit të naftës.

Të hënën, indeksi europian i naftës, Brent, u rrit mbi 81 dollarë për fuçi, vlera më e lartën prej më shumë se katër muajsh, pasi sanksionet e gjera të SHBA-së pritet të ndikojnë në eksportet e naftës së papërpunuar ruse për blerësit kryesorë, Kinën dhe Indinë.

Kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar Brent u rritën me 1,47 dollarë ose 1,84% në 81,23 dollarë/fuçi, pasi arritën nivelin më të lartë brenda ditës prej 81,49 dollarë/fuçi, më i larti që nga 27 gushti.

Nafta e papërpunuar amerikane, West Texas Intermediate (WTI), u rrit 1,55 dollarë ose 2,02% në 78,12 dollarë/fuçi, pasi arriti një nivel më të lartë prej 78,39 dollarësh, më e larta që nga 8 tetori.

Brent dhe WTI janë rritur me më shumë se 6% që nga 8 janari, dhe të dyja kontratat u rritën pasi Departamenti i Thesarit i SHBA-së vendosi të premten të sanksionojë më tej industrinë ruse të naftës. Sanksionet e reja përfshijnë prodhuesit Gazprom Neft, Surgutneftegas, si dhe 183 anije që kanë transportuar naftë ruse, duke synuar të ardhurat që Moska ka përdorur për të financuar luftën e saj me Ukrainën.

Tregtarët dhe analistët shprehen se eksportet ruse të naftës do të dëmtohen rëndë nga sanksionet e reja, duke shtyrë Kinën dhe Indinë, importuesit kryesorë dhe të tretët më të mëdhenjtë të naftës në botë, të marrin më shumë naftë bruto nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Amerika, gjë që do të rrisë çmimet dhe kostot e transportit.

/rtsh.al/