RTSH 24 Live

Ekonomi

TIPS, Banka e Italisë do kryejë pagesat në kohë reale edhe në monedhën shqiptare

12 orë para

TIPS, Banka e Italisë do kryejë pagesat në kohë reale edhe në monedhën shqiptare

Banka e Italisë do të funksionojë edhe për kryerjen e pagesave të shpejta nga/drejt Ballkanit për platformën europiane të pagesave në kohë reale (TIPS).

Marrëveshja e nënshkruar pak ditë më parë mes Bankës së Italisë dhe Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, parashikohet që brenda 18 muajve nga nisja e punës të realizojë kryerjen e pagesave në të gjitha monedhat e vendeve pjesëmarrëse.

E planifikuar të nisë javët e ardhshme, platforma bazohet në një kopje të shërbimit evropian për shlyerjen e pagesave në kohë reale.

Ajo është projektuar, krijuar dhe administruar nga Banka e Italisë në emër të Eurosistemit.

Marrëveshja e bashkëpunimit bën fakt ligjor që Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria, të bëhen pjesë e këtij sistemi të miratuar nga Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane (BQE).

Maqedonia e Veriut ruan të drejtën për t’iu bashkuar kësaj iniciative në një datë të mëvonshme.

Menjëherë pas nisjes së fazës së zbatimit do të zhvillohen dhe funksione të tjera.

Gjithashtu, platforma do të krijojë një lidhje dypalëshe për shlyerjen e pagesave midis zonës gjeografike ku TIPS operon dhe zonës së Ballkanit Perëndimor, duke përdorur një zgjidhje teknologjikisht të përparuar dhe me kosto të ulëta.

Nënshkrimi i marrëveshjes konsiderohet një hap i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me sistemin financiar të Bashkimit Evropian.

Gazetare: Entela Komnini

/rtsh.al/