RTSH 24 Live

Europë

Samiti i Zvicrës mbështet "integritetin territorial" të Ukrainës, bisedimet me Rusinë

16/06/2024

Samiti i Zvicrës mbështet "integritetin territorial" të Ukrainës, bisedimet me Rusinë

Dy vite nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë, krerët dhe zyrtarët më të lartë nga 90 shtete të botës dolën të dielën me një thirrje të përbashkët për bisedime paqeje mes palëve.

"Ne besojmë se arritja e paqes kërkon përfshirjen dhe dialogun e të gjitha palëve," thuhet në deklaratën e firmosur nga shumica e vendeve që morën pjesë në Samitin e Paqes për Ukrainën në Burgenstok të Zvicrës.

Dokumenti gjithashtu konfirmoi zotimin për të ruajtur "integritetin territorial të të gjitha shteteve, edhe të Ukrainës", ndërsa kërkoi edhe shkëmbimin e plotë të pengjeve të luftës dhe kthimin e fëmijëve të dëbuar. Në thelb, pikat e deklaratës ishin në vazhdën e planit 10-pikësh të prezantuar nga presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, në fund të vitit 2022.

India, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në listën e vendeve që nuk e mbështetën dokumentin.

Samiti i Paqes u zhvillua për dy ditë, ndërsa e diela u fokusua te çështje si siguria ushqimore, shmangia e katastrofës bërthamore dhe të dëbuarit nga lufta.

Të premten, presidenti rus Vladimir Putin tha se mënyra për të nisur bisedimet për paqe duhet të jetë ndalja e aksionit ushtarak ukrainas dhe tërheqja nga tokat e pretenduara prej Moskës. Këto qëndrime u refuzuan të dielën nga pjesëmarrësit e Samitit.

"Dinamikat aktuale për situatën në front na tregojnë qartësisht se më e keqja ende pritet të vijë për ukrainasit," reagoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov (o. Dmitry). Të dielën trupat ruse thanë se kanë kapur fshatin Zagrinë në jug të Ukrainës dhe po vijojnë të përparojnë në vijën e luftës.

Një samit i dytë për paqen

Presidentja zvicerane Viola Amherd tha në fjalimin e saj përmbyllës se mund të ketë një samit të dytë paqeje, që të jetë i pranuar ndërkombëtarisht.

"Një çështje kyç mbetet: si dhe kur do të përfshihet Rusia në proces? Duhet një zgjidhje që t'i qëndrojë kohës nga të dyja palët. Rruga përpara duket e gjatë dhe sfiduese," u shpreh znj. Amherd.

Presidenti Zelenski nuk tha a është gati të hyjë në bisedime direkte me Vladimir Putinin për t'i dhënë fund konfliktit. Në të kaluarën ai e ka përjashtuar këtë mundësi.

"Rusia duhet të bëhet pjesë e procesit, sepse Rusia është përgjegjëse për fillimin e procesit, që quhet luftë," tha presidentja gjeorgjiane, Salome Zurabishvili (o. Zourabichvili). /AFP

/rtsh.al/