RTSH 24 Live

Politikë

Mblidhet Komisioni për Dezinformimin, Braçe-opozitës: Bëhuni pjesë. Qëllimi, siguria kombëtare

26/06/2024

Mblidhet Komisioni për Dezinformimin, Braçe-opozitës: Bëhuni pjesë. Qëllimi, siguria kombëtare

Është mbledhur për herë të parë Komisioni i Posaçëm kundër Dezinformimit. Në fjalën e tij, kryetari i Komisionit, Erion Braçe, deklaroi se objekt i komisionit nuk është individi, por siguria kombëtare.

Braçe i bëri thirrje opozitës që të bëhet pjesë e mbledhjeve dhe të japin kontributin e tyre.

“Ky komision nuk ka qëllim të përndjekë individ apo organizata. Ka për qëllim të njohë, të mbledhë të dhëna, të organizojë një masë kritike shoqërore dhe institucionesh publike, private gjithashtu, për t’iu përgjigjur një luftë ë organizuar të shteteve jo mike dhe qëllimeve të tyre malinje, të shtuara prej luftës në Ukrainë dhe ndaj Shqipërisë.

Ky komision do duhet të organizojë faktorët shoqërorë, politikë, institucionet publike, vendimmarrëse e ekzekutive, të pavarura për të mbrojtur vlerat tonë, ekonominë, sektorët strategjikë të ekonomisë, lirinë e tregut, lirinë e shprehjes, lirinë e informimit. Ky komision do duhet të udhëhiqet nga interesi kombëtar, të ketë qëllim sigurinë kombëtare.

Duhet një masë kritike shoqërore e organizuar në këtë luftë. Opozita duhet të jetë pjesë e rëndësishme e kësaj lufte.

Kemi lënë dhe dhënë kohën e mjaftueshme që opozita të njihet me fenomenin, ta pranojë atë, të sqarohet e të ketë çdo informacion. Presim kontributin e tyre në këtë komision.

Puna e komisionit do jetë transparente. Objekti i punës së komisionit nuk do jetë individi, por interesi kombëtar, siguria kombëtare”, u shpreh Braçe, ndërsa bëri me dije se do merren shembujt më të mirë nga SHBA dhe BE.

Keqardhje për mungesën e opozitës shprehu edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi.

"Vërtet eshte nga ato komisionet qe nuk duhet pare si pjese e luftes partiake mes mazhorances dhe opozites. Me vjen keq qe koleget e opozites ende sot nuk kane shprehur gatishmerine per te ardhur. Dizinformimi eshte nje fenomen historik prej Egjipit te lashte dhe deri me sot, madje deri ne ate pike sa kane deformuar fakte historike. Ajo qe na ul sot ne kete komision eshte shqetesimi qe ka bota perendimore denokratike se ky fenomen mund te cenoje vlerat tona demokratike," tha Çuçi. 

Në thelb të Komisionit të posaçëm për Dezinformim është identifikimi i influencave të huaj që ndikojnë në demokracinë e vendit përmes mediumeve të ndryshme që janë mediat tradicionale dhe rrjetet sociale.

/rtsh.al/