RTSH 24 Live

Aktualitet

Rrumbullaku: Policia zbardh vrasjen e Ardian Nikulajt, autori një shtetas portugez

26/04/2023

Rrumbullaku: Policia zbardh vrasjen e Ardian Nikulajt, autori një shtetas portugez

Policia e Shtetit, ajo e Lezhës, në bashkëpunimin me prokurorinë, kanë zbardhur vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj më 19 prill 2023 në lokalin e tij në Shëngjin të Lezhës.

Autori i dyshuar i ekzekutimit është një shtetas portugez, Ruben Saraiva i cili është ndihmuar në këtë krim edhe nga 4 shtetas britanikë, si dhe një me shtetësi shqiptaro- britanike.

"Grupi hetimor dhe oficerët e policisë gjyqësore jemi 100% të bindur për përcaktimin e ekzekutorit. Është shtetas portugez. Janë arritur të sigurohen të gjitha provat shkencore të pakundërshtueshme për autorësinë. Ju garantoj që kemi siguruar provat që dokumentojnë plotësisht autorësinë rolet e personave të dyshuar. Jemi në një fazë të dytë të operacionit në terren me partnerët për kapjen e tyre” tha Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i ciili doli vetë pasditen e sotme (26 prill) në një konferencë për shtyp.

Autorë të dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit të shpallur ne kërkim

Po bashkëpunohet edhe me partnerët dhe strukturat ligjzbatuese ndërkombëtare, për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, të cilët janë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, pas kryerjes së krimit. 

Ata janë

1.    Edmond Haxhia, shtetas me shtetësi shqiptare dhe britanike, 
2.    Ruben Saraiva, shtetas portugez, i dyshuar si ekzekutori
3.    Harry Simson, shtetas britanik,
4.   Harriet Bridgeman, shtetase britanike,
5.    Thomas Mithan, shtetas britanik,
6.    Steven Hunt, shtetas britanik 

Ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg".

Motivi:  Gjakmarrja

Policia gjithashtu ka zbardhur dhe motivin. Biznesmeni 51 vjeçar me banim në Shëngjin është vrarë për gjakmarrje dhe autorët menjëherë pas krimit janë larguar nga Shqipëria. 

"Kemi të bëjmë me vrasje me paramendim për gjakmarrje. Autorët menjëherë pas kryerjes së krimit janë larguar nga Shqipëria. Jemi para një organizimi në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal" tha kreu i policisë së shtetit.

Duket se policia ka arritur të sigurojë prova të vlefshme për përfshirjen e këtyre personave në krim.

"Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore, kemi përcaktuar kohën e hyrjes, organizimin, momentin e daljes dhe gjithçka. Jemi në bashkëpunim të ngushtë dhe jemi në gjeneralitetet e sakta të gjithsecilit prej tyre të implikuar në ngjarje”

“Policia e Shtetit e ka vlerësuar që në fillim ngjarjen. Janë gjetur një sërë provash që shërbejnë për dokumentin e ngjarjes si gëzhoja, armë zjarri, telefona, si dhe disa prova të tjera biologjike. Janë dokumentuar veprimet e autorit të dyshuar, si dhe e gjithë dinamika e shtetasve të përfshirë në këtë ngjarje" tha Rrumbullaku.

Kreu i policisë shqiptare nënvizoi se grupi hetimor vijon punën hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të organizimit dhe financimit, për ekzekutimin kriminal të shtetasit Ardian Nikulaj.

Sipas tij, po bashkëpunohet edhe me partnerët dhe strukturat ligjzbatuese ndërkombëtare, për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, të cilët janë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, pas kryerjes së krimit.

“Mbi bazën e materialeve të referuara nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë ka regjistruar procedimin penal nr. 205, viti 2023 për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”- theksoi Rrumbullaku.

Provat që ka gjetur policia  

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

•    Gëzhoja arme zjarri model 54, kalibër 7.62 mm; 
•    Një predhë model 54, kalibër 7.62 mm;
•    Letërnjoftim; 
•    Celular i markës “iPhone”, dhe disa prova të tjera biologjike dhe filmike

/rtsh.al/