RTSH 24 Live

Sociale

Rrjeti B40, nga panairi deri tek mbrëmja Gala, ku u vlerësuan të rinj nga ballkani

10/12/2024

Rrjeti B40, nga panairi deri tek mbrëmja Gala, ku u vlerësuan të rinj nga ballkani

Në kuadër të rrjetit “B40’’ u çel Panairi i Industrisë Kreative, ku të rritur e të vegjël patën mundësinë të mësonin më shumë rreth teknologjisë,  duke u njohur me robotët e parë shqiptarë.

Në po të njejtin ambient u zhvilluan tre panele diskutimi me ekspertë të fushës, shqiptarë e të huaj, ku u përfshinë diskutime mbi aktivitetin e të rinjve në industrinë kreative si faktor thelbësor ekonomik, inovacionin dhe teknologjinë.

Gjatë mbrëmjes u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve në një mbrëmje Gala ku morën pjesë personalitete dhe aktorë të ndryshëm të industrisë kreative.

 Në 10 kategori të cilat u vlerësuan me çmime, kandidatë ishin të rinj që vijnë nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe që njëkohësisht kanë ngritur biznese përmes ideve krijuese.

 “Në 1000 ditë, jemi krenarë që kemi arritur të investojmë në profesionet e të ardhmes, siç janë ato të industrisë kreative. Ne besojmë tek impakti i kësaj industrie në ekonomi dhe jemi të bindur që përmes punës së çdo dite, kemi arritur të ndikojmë pozitivisht në rritjen ekonomike falë industrisë krijuese”, tha Jonid Jorgji,  Drejtori i Agjencisë së Industrisë Kreative.

Nga inovacionet në teknologji, e deri tek çmimet për sipërmarrjen më kreative apo iniciativat për komunitetin, vlerësimet u shpërndanë në vende të ndryshme ballkanike, në kuadër të rrjetit të B40.

/rtsh.al/