RTSH 24 Live

Kronika

Rreth 3 mijë euro kostoja e uniformës, Sindikata e Policisë: “Jashtë çdo standardi për secilën stinë“

13/07/2021

Rreth 3 mijë euro kostoja e uniformës,  Sindikata e Policisë: “Jashtë çdo standardi për secilën stinë“

Në një kohë kur kostoja e një uniforme, i çdo punonjësi të Policisë së Shtetit ka kapur vlerën e 2.800 eurove, punonjësit bazë të kësaj organizate po përballen me vështirësi, për shkak të problemeve që kjo uniformë paraqet.
Në një intervistë të dhënë për Radio televizionin Shqiptar, Sadetin Fishta, kreu i Sindikatës së Policisë, thotë se cilësia e kësaj uniforme është shumë e ulët, çka nuk justifikon vlerën me të cilën është blerë.Madje, efektivët, sipas tij, janë detyruar të ndërhyjnë privatisht për riparimin e saj.
Lidhur me vlerën e uniformës, të nxjerrë përmes tenderit të realizuar nga Minsitria e Brednshme dhe Policia e Shtetit, Fishta thotë se kjo vlerë ka ardhur duke u rritur në krahasim me furnizimet e mëparshme të efektivëve.

552 milion lekë në tenderin prej 2.8 miliardë lekësh për uniformat e Policisë së Shtetit do të shkonin vetëm për këpucët e policëve, 2.2 mld lekë për uniformat  dhe 35 milionë do të shkonin për sistemin elektronik të shpërndarjes, që nuk u realizua kurrë. 350 euro do shkonin për një kapele

Njësia e prokurimit argumentoi, se modelet e këpucëve ishin një artikull i ri që prokurohet për Policinë e Shtetit dhe se modeleve të reja iu përmirësuan të gjitha karakteristikat teknike në mënyrë që t'ju përshtaten nevojave dhe kërkesave funksionale të detyrave që duhet të kryejnë policët.

Këto janë problematikat kryesore të uniformave, që sipas akuzës së SPAK janë blerë 2800 euro pala, ndërsa me raste identifikohet edhe mungesa e uniformave rezervë.

SPAK arrestoi 8 zyrtarë e ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme lidhur me abuzimin dhe parregullsitë që ata kanë bënë për tenderin e uniformave të policisë të hedhur në verën e 2020-s për katër vitet e ardhshme.

Gjatë hetimit, sipas SPAK, janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit.