Kancelari i Austrisë Karl Nehamer tha se u shkatërrua një degë e Shtetit Islamik që synonte të kryente një sulmin vdekjeprurës mes mijëra fansave të kantautores amerikane Tylor Swift. “Autori kryesor ka rrëfyer se është dashur të kryejë një sulm vetëvrasës me dy bashkëpunëtorë”, shtoi ai.
19-vjeçari me origjinë nga Maqedonia e Veriut po planifikonte të kryente sulmin mes rreth 20 mijë fansave të këngëtares me famë botërore që do të mblidheshin jashtë stadiumit të Vjenës, konfimoi drejtori i Sigurisë dhe Zbulimit austriak. Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut i dyshuari quhet Beran Aliji, i lindur në Austri, por me origjinë nga Gostivari. “Ai bëri një rrëfim të plotë në paraburgim” tha në një konferencë drejtori i përgjithshëm për sigurinë publike të Austrisë, Franz Ruf. I betuar për besnikëri ndaj liderit të grupit të Shtetit Islamik, 19-vjeçarit iu gjetën në shtëpinë e tij në Ternitz materiale dhe pajisje teknike për të kryer sulmin.
Dy të rinj të tjerë austriakë të moshës 17 dhe 15 vjeç u arrestuan për ngjarjen. Ministri i Brendshëm austriak Gerhard Karner tha se u parandalua një tragjedi, ndërsa shtoi se agjencitë e huaja të inteligjencës kishin ndihmuar me hetimin, pasi ligji austriak nuk lejon monitorimin e aplikacioneve të mesazheve.
Rrjeti televiziv amerikan ABC duke cituar burime të inteligjencës tha se autoritetet austriake kishin marrë informacion nga inteligjenca amerikane. Policia britanike tha të enjten se nuk kishte asnjë shenjë që të tregonte se sulmi i planifikuar në Vjenë do të kishte një ndikim në koncertet e Taylor Swift në stadiumin “Uembli” në Londër javën e ardhshme.
Shfaqjet e kësaj jave do të ishin pjesë e turneut botëror të këngëtares dhe kantautores amerikane Swift, të cilin e nisi në mars të vitit të kaluar në në Arizona dhe që përfundon më 8 dhjetor të këtij vitit në Vankuver të Kanadasë. Këngëtarja 34-vjeçare ende nuk ka bërë një koment për anulimin e koncerteve në Vjenë, por fansat e saj megjithëse të frikësuar nga lajmi për sulmin terrorist u kërkuan organizatorëve që t’i shtynin dhe jo t’i anulonin plotësisht koncertet e saj.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /