Ronela Hajati, fituese e Festivalit të Këngës në RTSH, nis xhirimet për videoklipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision. Ajo i ka nisur xhirimet e videoklipit me një mesazh për Vjosën. Kënga e saj fituese në Festivalin e Këngës, që do të përfaqësojë Shqipërinë në ESC2022, është kthyer në himn të këtyre ditëve. Ronela Hajati ka vendosur një rekord përfaqësimi në klasifikimin e shkurtit në Eurovizion, duke ngritur pritshmëritë në eventin që do të mbahet më 10, 12 dhe 14 maj në Torino të Italisë.
Artistja ka nisur xhirimet e videoklipit të këngës në jug të vendit, me një mesazh të fortë për ruajtjen e trashëgimisë sonë natyrore. Klipi i këngës po xhirohet buzë Vjosës, në Bylis. Një pjesë tjetër e xhirimeve do të mbahen në Gjirokastër dhe Tepelenë.
Video, e cila do të publikohet në fillim të marsit në kanalin zyrtar të Eurovizionit, do të tregojë disa nga bukuritë më joshëse të Shqipërisë, si një kartolinë ftesë për të gjithë shikuesit e Festivalit Evropian. RTSH do të prezantojë së shpejti, ekskluzivisht videoklipin e këngës fituese në Festivalin e Këngës. Deri atëhere, mund të shijoni disa foto nga sheshxhirimi.