RTSH 24 Live

Muzikë

Rita Ora koncert në Tiranë

19/07/2022

Rita Ora koncert në Tiranë
 

Shumë shpejt Tirana do të mikpresë një nga këngëtaret më të famshme në nivel ndërkombëtar, njofton ATSH.

Drejtoresha e përgjithshme e Promovimit të qytetit, në bashkinë e Tiranës, Mirela Koçollari, ka postuar në rrjetet sociale lajmin se në datë 6 shtator, në Tiranë do të ketë një koncert të Rita Orës.

Koncerti i këngëtares së famshme shqiptare është parashikuar të mbahet në sheshin “Skënderbej”, mbrëmjen e 6 shtatorit, në kuadër të Tirana European Youth Capital 2022.

Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022 – Një titull që jepet nga Forumi Evropian i Rinisë i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve dhe për të forcuar identitetin evropian.

Tirana EYC 2022 paraqitet si një makroprogram prej 365 ditësh, gjatë të cilave do i jepet jetë një kalendari projektesh me iniciativa e aktivitete të shumta, që shohin në qendër rininë. Tirana EYC 2022 implementohet nga Kongresi Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me bashkinë Tiranë.

Të shumta kanë qenë aktivitet gjatë këtyre muajve, por duket se ato do të kulmojnë me koncertin e Rita Orës, në 6 shtator.