Agronomi 66 vjeçar Ferdinant Hankja i cili njihet në mbarë opinionin publik të qytetit të Elbasanit, ka rikthyer traditën e trëndafilave në qytet. Me mbështetjen të ish nën.Kryetarit të Bashkisë Art Kovaci, Ferdinanti krijoi bahçen e trëndafilave, pranë Pallatit të Sportit Tomorr Sinani. Në këtë sipërfaqe të gjelbër u mbollën rreth 1,042 rrënjë trëndafilash të 12 varieteteve . Në këtë nisem kontribuuan edhe qytetare të tjerë në Elbasan, si dhe shkollat së bashku me kopshtet ku të vegjlit vendosën rrënjën e tyre në bahçe.
“Janë 12 variete, janë aromatik dhe kënaqësia është sepse ne e kemi bërë brenda 2 muajsh këtë iniciativë që morëm me idenë që të sjellim identitetin e trëndafilit të Elbasanit”, u shpreh agronomi Ferdinant Hankja.
Për Ferdinantin mbjellja e luleve është kënaqësia e tij më e madhe, një pasion i cili e ka shoqëruar që në kohën e hershme, tashmë ai po bën gati 55 vite që kujdeset për lulet.
“E kam nisur në moshën 6-7 vjeç, kur në shtëpinë tonë kemi pasur rrugica të mbjella me trëndafila”, u shpreh agronomi.
Bahçen e Trëndafilave e vizitojnë qindra qytetarë gjatë ditës, ndryshe nga herët e kaluara qëndrimi i tyre zgjat akoma dhe më shumë falë trëndafilave aromatik. Ferdinanti vëren dhe një ndërgjegjësim dhe tek të rinjtë të cilët nuk i këpusin lulet, por përkundrazi i mbrojnë ato. Në këtë hapësirë kaq të mrekullueshme shumë çifte kanë vendosur të kryejnë dhe ceremoni e martesës së tyre. Për Ferdinantin kjo lulishte do të mbesë më e veçanta në Shqipëri pasi ka një model krejtësisht të ndryshme, duke e bërë atë unike.
Së shpejti pritet që bashkia Elbasan të nisë dhe projekte të reja për shtimin e lulishteve me trëndafila dhe në pjesë të tjera të qytetit duke sjellë një panoramë të mrekullueshme për vizitorët dhe banorët e Elbasanit.
/RTSH/