RTSH 24 Live

Televizion

Rijetësimi i studiove të Radio Tiranës/ Bojken Lako: Në dispozicion të artistëve dhe talenteve të reja, pa detyrime monetare!

31/08/2023

Rijetësimi i studiove të Radio Tiranës/ Bojken Lako: Në dispozicion të artistëve dhe talenteve të reja, pa detyrime monetare!

Ndryshimet që po ndodhin në Radio Televizionin Shqiptar, nuk mund të linin pa prekur edhe rijetesimin e studiove të Radio Tiranës, atë që konsiderohet edhe si Radioja mëmë në vend, për shkak të 85 viteve traditë të transmetimit të pandërprerë. 

Për shkak të mirëprojektimit inxhinierik dhe akustikës së duhur është menduar dhe ideuar që studiot e trashëguara të Radio Tiranës, të vihen në dispozicion të artistëve të afirmuar, por edhe talenteve të reja, për t’i shfrytëzuar këto hapësira për provat e performancave të tyre muzikore. 

“Duke qenë se momentalisht gjëja më e rëndësishme për brezin e ri është krijimi i një sistemi, ku të rinj të talentuar në fushën e muzikë dhe të media të kenë mundësinë të ushtrohen nga ana muzikore, aq më tepër që Radio Televizioni Shqiptar ka dhe krijon mundësi edhe për promovimin e këtyre të rinjve. Kemi fatin që i kemi trashëguar këto studio që për herë të parë po vihen në dispozicion të të rinjve për të promovuar artin, kulturën dhe vlerat e mira të të rinjve” tha Drjetori i Radio Tiranës Bojken Lako.
 
Një risi tjetër e menduar është ajo për të rinjtë e talentuar në muzikë, të cilët do të përzgjidhen nga gjimnazet e Tiranës për të marrë pjesë në Festivalin më të madh të muzikës në vend, atë të Radio Televizionit Shqiptar. 

Drejtori Lako tha se “Gjatë këtij viti ne kemi programuar 2-3 programe alternative të formës së re komunikative, ku do të shfaqen të rinj të talentuar që do t’i selektojmë nga gjimnazet e Tiranës dhe do t’u japim këtë hapësirë, për t’i promovuar edhe mediatikisht. Flitet për këngëtarë të talentuar që kalojnë nga mosha 14-16 vjeç, sepse siç dihet limiti i moshës i artistëve që mund të marrin pjesë në Festivalin e Fundvitit është 16 vjeç. Është menduar një zinxhir promocioni që nga brezi i vogël e deri tek ata më të rriturit” tha drejtori i Radio Tiranës Bojken Lako.
   
Të gjitha studiot e Radio Tiranës vijnë me një koncept të ri, si një laborator i artistëve më të mirë dhe atyre të rinjve që spikasin me talentin e tyre, për të pasur mundësi që të shpërfaqen edhe mediatikisht pa pasur asnjë detyrim monetar. 

Gazetare Ornela Ceka

/ rtsh /