RTSH 24 Live

Sociale

Rezistenca ndaj antibiotikëve, mikrobiologia: Terapia të mbështetet në testet e antibiogramës

08/11/2024

Rezistenca ndaj antibiotikëve, mikrobiologia: Terapia të mbështetet në testet e antibiogramës

Keqpërdorimi i antibiotikëve po alarmon botën për rritjen e rezistencës së mikrobeve, duke vënë në vështirësi serioze trajtimin e disa sëmundjeve. Mikrobiologia Prof. As. Silva Tafaj tregon për RTSH-në se në disa infeksione bakteriale antibiotikët shpesh nuk po funksionojnë.

Po hasim rezistencë në rritje ndaj Cefalosporinave, përmes transmetimit të disa enzimave (cefalosporinazave me spektër të gjerë) që nxjerrin jashtë loje penicilinat dhe cefalosporinat. Gjithashtu në testimin e ndjeshmërisë së infeksioneve urinare kemi hasur një rezistencë shumë të lartë ndaj Ciprofloksacinës, ndërkohë që njerëzit mund të vazhdojnë të mjekohen me Ciprofloksacinë pa e ditur nëse mikrobi shkaktar është ose jo i ndjeshëm ndaj saj. Në 10 baktere, tre prej tyre i kemi hasur rezistent. Pra Ciprofloksacina do të vazhdojë të përdoret, por duhet të orientohet me antibiogramë, pasi ky mund të jetë një shtam rezistent”, tha Dr.Tafaj.

Respektimi i protokolleve të mjekimit është kyç dhe sa herë të jetë e mundur antibiotikoterapia duhet të mbështetet tek rezultatet e testimit të ndjeshmërisë antimikrobike në laborator. Mbipërdorimi ose keqpërdorimi ka bërë që rezistenca mikrobike ndaj antibiotikëve të jetë e rritur sot kudo në botë.

Është shumë e rëndësishme që sa herë të jetë e mundur të merret një mostër klinike nga një pacient, si p.sh. me pneumoni apo tonsilit, të çohet në laboratorin mikrobiologjik, të ekzaminohet për prezencë të mikroorganizmave dhe laboratori të bëjë testin e antibiogramës që liston antibiotikët rezistent dhe ata me të cilët duhet mjekuar”, tha Tafaj.

Ritmet e rritjes së rezistencës antimikrobike janë shumë më të larta se ato të prodhimit të një antibiotiku, ndaj në këto kushte bota po shkon drejt një krize thotë OBSH.

Unë e kam thënë, antibiotikët duhet të trajtohen për nga vlera si një monument i rëndësisë së veçantë. Farmaceutikës, shkencës i duhen dekada për prodhimin e një antibiotiku të ri”, shtoi ajo.

OBSH vlerëson se deri në vitin 2050 do të ndodhin më shumë se 39 milionë vdekje nga infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve, ndaj është e madhe nevoja për veprime vendimtare dhe të shpejta.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/