RTSH 24 Live

Botë

Reuters: SHBA dhe Ukraina përgatiten të nënshkruajnë marrëveshjen për mineralet

7 orë para

Reuters: SHBA dhe Ukraina përgatiten të nënshkruajnë marrëveshjen për mineralet

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe Ukraina planifikojnë të nënshkruajnë marrëveshjen e shumë debatuar për mineralet pas takimit të tensionuar në Zyrën Ovale.

Presidenti Donald Trump u ka thënë këshilltarëve të tij se dëshiron të shpallë marrëveshjen në fjalimin që do të mbajë në Kongres të martën në mbrëmje, transmeton Reuters që u referohet tre burimeve të saj.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur menjëherë një kërkese për koment, po ashtu  administrata e Ukrainës në Kiev si dhe ambasada e Ukrainës në Uashington nuk u përgjigjën kërkesave për koment.

Marrëveshja u pezullua pas takimit të tensionuar në Zyrën Ovale midis Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili braktisi Shtëpinë e Bardhë.

Në atë takim, Trump dhe Zëvendës Presidenti JD Vance e qortuan Zelenskyn, duke i thënë atij se duhet të falënderojë SHBA-në për mbështetjen e saj në vend që të kërkojë ndihmë shtesë.

Je duke luajtur bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”, tha Trump.

Zyrtarët amerikanë kanë folur ditët e fundit me zyrtarët në Kiev për nënshkrimin e marrëveshjes për mineralet, pavarësisht nga takimi i tensionuar i së premtes, dhe u kërkuan këshilltarëve të Zelenskyt që të bindin presidentin ukrainas që t'i kërkojë falje Trumpit, transmeton Reuters.

Më herët Zelensky shkroi në ‘X’ se Ukraina ishte gati të nënshkruante marrëveshjen dhe e quajti takimin e Zyrës Ovale ‘për keqardhje’.

“Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë nuk shkoi ashtu siç pritej”, tha Zelensky në postimin e tij. Ndërsa shtoi se “Ukraina është e gatshme të ulet në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur për të sjellë më afër paqen e qëndrueshme”.

Marrëveshja që do të nënshkruhej javën e kaluar nuk përfshinte garanci të qarta sigurie për Ukrainën, por i dha SHBA-së akses në burimet natyrore të Ukrainës.

Marrëveshja parashikon që qeveria ukrainase të kontribuojë me 50% të fitimit të parave të çdo burimi natyror shtetëror në një fond investimi-rindërtimi të menaxhuar nga SHBA dhe Ukraina.

Ditën e hënë Trump sinjalizoi se administrata e tij mbetet e hapur për nënshkrimin e marrëveshjes, duke u thënë gazetarëve se Ukraina “duhet të jetë më mirënjohëse”.

/rtsh.al/