Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Kaja Kallas ka deklaruar se Unioni duhet të ndërmarrë veprime vendimtare për t'u riarmatosur, për të forcuar gatishmërinë e tij mbrojtëse dhe për të rritur mbështetjen për Ukrainën.
“Është koha që të riarmatosemi, të ripajisemi dhe të jemi gati për mbrojtjen e Evropës. Ne do të përdorim çdo levë që kemi - nga përshtatja e rregullave fiskale për shpenzimet e mbrojtjes, te mobilizimi i buxhetit tonë të BE-së, te kreditë e reja për prokurimin e përbashkët të pajisjeve. Ne gjithashtu duhet të shtojmë mbështetjen tonë për Ukrainën”, shkruan Kallas në rrjetin social X.
Ndërkaq më 6 mars do të mbahet takimi i Këshillit Evropian në Bruksel, ku liderët e Bashkimit Evropian do të diskutojnë mënyrat për të forcuar mbrojtjen evropiane dhe për të rritur ndihmën për Ukrainën.
Ky takim vjen pas deklaratave dhe veprimeve të fundit nga administrata amerikane në lidhje me rolin e reduktuar të SHBA-së në sigurinë evropiane dhe pezullimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.
/rtsh.al/