Kryeministri në largim i Kanadasë, Justin Trudeau ka deklaruar se Kanadaja i ka konsideruar veprimet e administratës Trump si të paligjshme mbi ‘luftën tregtare’ ndërsa ka theksuar se vendi i tij do të përgjigjet ndaj tarifave amerikane.
Trudeau ka vënë në dukje se lëvizjet amerikane janë në shkelje të marrëveshjes së tregtisë së lirë që ekziston midis Kanadasë dhe SHBA-së.
“Kanadaja do t'i mbajë në fuqi tarifat ndaj SHBA-së derisa SHBA të heqë tarifat ndaj nesh” ka theksuar Trudeau në një konferencë për mediat duke thënë se Kanadaja po shqyrton opsione të tjera për t'u përgjigjur përveç tarifave hakmarrëse nëse Trump nuk heq dorë nga ana tjetër.
“Kanadezët janë të arsyeshëm dhe ne jemi të sjellshëm, por nuk do të tërhiqemi nga një luftë, jo kur vendi ynë dhe mirëqenia e të gjithëve është në rrezik” është shprehur Trudeau.
Kryeministri kanadez në largim shtoi se tarifat e SHBA dhe përgjigja kanadeze kanë hyrë në fuqi në orët e para të mëngjesit të sotëm, transmeton BBC.
Ai shpjegoi se Kanadaja do të zbatojë tarifa 25% ndaj mallrave amerikane me vlerë 155 miliardë dollarë, duke filluar me tarifat për mallrat me vlerë 30 miliardë dollarë menjëherë dhe tarifat për mallrat e mbetura me vlerë 125 miliardë dollarë në 21 ditë.
/rtsh.al/