RTSH 24 Live

Kulturë

Restaurohet ikona “Zbritja në ferr”, së shpejti do të jetë pjesë e një ekspozite

15/04/2024

Restaurohet ikona “Zbritja në ferr”, së shpejti do të jetë pjesë e një ekspozite

Ka përfunduar procesi i restaurimit të ikonës “Zbritja në Ferr” e cila i përket fundshekullit të 18-të dhe fillimit të shekullit të 19-të. Pjesa më e madhe e sipërfaqes është punuar mbi ar dhe për këtë arsye kishte pësuar humbje të konsiderueshme të shtresës pikturale. Për këtë arsye është dashur shumë punë nga ana e specialistëve të laboratorit të restaurimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, për ta ri sjellë atë në jetë.

“Problematike te kjo ikonë ishte pastrimi i shtresës së vernikut në pjesën e arit pasi gjithmonë ndodh që te kjo shtresë është më e vështirë nga ana e restautorit për ta sjellë në jetë ikonën. Ky proces ka zgjatur rreth 3 muaj për të arritur në gjendjen që është sot ikona. Duke u pastruar, duke u ritokuar dhe tani është gati për ekspozim”, tha restauratori Genti Postoli.

Shumë shpejt ikona do të jetë e ekspozuar edhe për artdashësit. 

“Ikona do të jetë pjesë e ekspozitës e cila do të hapet në muajin maj ditën e muzeve dhe do të jetë me temën e “Joan Pagezorit”, sepse është një prej figurave që ndodhen në këtë ikonë ngjitur me figurën e Jezu Krishtit”, tha drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti.

Ikona e pikturuar mbi një panel monolit prej arre ka qenë pjesë e regjistrit të sipërm të një ikonostasi. Ajo bën pjesë në ciklin e Festave të Mëdha dhe është punuar me mjeshtëri të lartë artistike.

Gazetare: E. Dyrmishi

/RTSH/