RTSH 24 Live

Botë

Raporti i inteligjencës britanike: Rusia dështoi në planin e saj për të nisur ofensivën e fuqishme ndaj Ukrainës

01/04/2023

Raporti i inteligjencës britanike: Rusia dështoi në planin e saj për të nisur ofensivën e fuqishme ndaj Ukrainës

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka bërë të ditur raportin e fundit nga lufta në Ukrainë, të të cilin theksohet se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, dështoi të realizojë ofensivën e madhe gjatë dimrit.

Sipas raportit, gjenerali Gerasimov mori përsipër të drejtojë “operacionin special ushtarak” në Ukrainë më 11 janar të këtij viti.

“Mandati i Gerasimov karakterizohet nga një përpjekje për të nisur një ofensivë të përgjithshme dimërore që synon zgjerimin e kontrollit rus mbi të gjithë rajonin e Donbasit. 80 ditë më vonë, është gjithnjë e më e qartë se ky projekt ka dështuar”, shkruan në raport Ministria e Mbrotjes së Britanisë së Madhe.

Sipas inteligjencës britanike forcat ruse arritën vetëm disa përparime të vogla në disa pjesë të Donbasit, por me kosto të lartë, transmeton CNN.

“Pas dhjetë vjetësh në krye të komandës ruse, ekziston një mundësi reale që Gerasimov po i shtyn kufijtë se deri ku udhëheqja politike ruse do të tolerojë dështimin”, thekson më tej Ministria britanike e Mbrojtjes.

/rtsh.al/