RTSH 24 Live

Kosovë

Rama uron Kurtin për Pavarësinë e Kosovës: Një rrugëtim sfidues e i suksesshëm

19/02/2025

Rama uron Kurtin për Pavarësinë e Kosovës: Një rrugëtim sfidues e i suksesshëm

Kryeministri Edi Rama ka dërguar një mesazh urimi për homologun e tij në Kosovë, Albin Kurti, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në një letër të dërguar më 13 shkurt, Rama vlerëson arritjet e Kosovës në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës, pavarësisht sfidave të shumta që ka kaluar vendi.

Në letrën e tij, Rama thekson se mbështetja e pakursyer nga aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, ka qenë vendimtare për sukseset e Kosovës.

"Përtej sfidave të shumta e sakrificave të mëdha, me mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, Republika e Kosovës ka shënuar arritje të paimagjinueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe Shtetit të së Drejtës", thuhet ndër të tjera në letër e urimit të kryeministrit Rama.

Rama shpreh vullnetin e Shqipërisë për të vazhduar përpjekjet e përbashkëta në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, duke pasur parasysh rëndësinë e integrimit të plotë të Kosovës në strukturat ndërkombëtare.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, ku Deklarata e Pavarësisë u miratua unanimisht nga 107 deputetët e pranishëm në sallën e Kuvendit, ndërsa procedura e votimit u bojkotua nga 11 deputetët përfaqësues të pakicës serbe. Deri tani, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 vende.

Letra e plotë

Tiranë, më 13 shkurt 2025

Shkëlqesia Juaj,

I dashur Albin

Përvjetori i 17-të i shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më ofron rastin e duhur t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta në këtë ditë historike për kombin tonë. Përtej sfidave të shumta e sakrificave të mëdha, me mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, Republika e Kosovës ka shënuar arritje të paimagjinueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe Shtetit të së Drejtës. Një histori progresi të gjithanshëm demokratik dhe prosperiteti.

Përulemi sot përpara themeluesve të Republikës, duke shprehur pafundësisht mirënjohjen tonë. Një rrugëtim sfidues dhe i suksesshëm deri më 17 shkurt të vitit 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe një rrugëtim po kaq sfidues e i suksesshëm, deri më sot, për forcimin e saj.

Edhe një herë, duke riafirmuar gjithë vullnetin tonë për bashkëpunim të gjithanshëm, unë, Ju uroj nga zemra gëzuar Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Shkëlqesia Juaj, dhe nëpërmjet Jush, gëzuar të gjithë motrave e vëllezërve Kosovës.

Vëllazërisht, Edi Rama

/rtsh.al/