Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga kantieri i punimeve të spitalit të ri të kardiokirurgjisë, ku po kryhet një investim rrënjësor dhe me një arkitekturë tërësisht të re duke e bërë një nga qendrat më moderne të Ballkanit, si në infrastrukturë dhe në pajisje.
Në mbi 4000 metër katrorë në dispozicion, spitali i ri do të përfshijë funksione të reja nga pikëpamja e funksionalitetit dhe shërbimimeve që do të ofrohen.
Sipas kreut të qeverisë, ky pavijon do të ketë edhe një repart te specializuar reanimacioni.
“Në kantierin e kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, po punohet me ritme të shpejta për të përfunduar rikonstruksionin e plotë të godinës që do të përfshijë krahas sallave të dedikuara për kirurgjinë e zemrës, edhe një repart te specializuar reanimacioni dhe teknologjinë më të fundit për shërbimet e kardiokirurgjisë”, u shpreh kryeministri Rama.
Ky investim është një financim i qeverisë shqiptare me vlerë 4.3 milionë euro, në kuadër të modernizimit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Spitali i ri i Kardiokirurgjisë do të përfshi 4000 metër katrorë në dispozicion.
Investimi në spitalin e ri përfshin shërbimin e kirurgjisë vaskulare; shërbimin e kardiokirurgjisë; bllokun operator që do të ketë 3 salla për kardiokirurgjinë dhe 1 sallë dedikuar kirurgjisë vazale; shërbimin e terapisë intensive, që do të jetë i integruar në shërbimin e kardio-kirurgjisë, duke lejuar një menaxhim më fleksibël të zonave të trajtimit të pacientëve para dhe pas operacionit.
/rtsh.al/