Sulmi masiv kibernetik ndaj institucioneve zyrtare të Shqipërisë, vijon të jetë në fokus të kryeministrit, Edi Rama. Me anë të një postimi sot në twitter, kreu i qeverisë informon përfundimisht se “agresioni është zmbrapsur me sukses”.
Sipas tij, falë punës së një skuadre shqiptaro- amerikane, nuk është fshirë asnjë e dhënë dhe shërbimet publike janë kthyer në punë, duke iu përgjigjur kështu edhe disa shkrimeve të bëra nga disa media.
“Se cila është arsyeja që Top Channel vazhdon spekullon papërgjegjshmërisht, pa asnjë bazë, provë, fakt, mbi zhvillimet në frontin e luftës kibernetike, këtë nuk e di! Ndërkohë arsyeja pse mediat e një biznesmenit të kapur me evazion masiv bëjnë të njëjtën gjë, kuptohet më lehtë! Lajmi i mirë është se agresioni është zmbrapsur me sukses nga një superskuadër shqiptaro-amerikane, se asnjë e dhënë nuk është fshirë, se shërbimet publike janë kthyer në punë! Vazhdon operacioni i forcimit të mureve mbrojtëse dhe hetimit për identifikimin e sigurtë të agresorit! E gjithë ngjarja do t'i raportohet publikut nga ekspertët, sapo të ndizet drita jeshile e përfundimit të proceseve shembullore që po kryhen nga superskuadra e angazhuar në këto operacione. Keqardhje e madhe për keqtrajtimin që i bëhet publikut për interesa pronarësh në media”, shkroi Rama në Twitter.
/rtsh.al/