RTSH 24 Live

Politikë

Rama shkarkon nga detyra Bledi Çuçin! Taulant Balla, Ministri i ri i Brendshëm

08/07/2023

Rama shkarkon nga detyra Bledi Çuçin! Taulant Balla, Ministri i ri i Brendshëm

Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçin, duke propozuar për këtë detyrë Taulant Ballën.

Lajmi është bërë me dije nga vetë Rama nëpërmjet një postimi në Twitter, ku shkruan se të hënë do t’i dorëzojë zyrtarisht kërkesën Presidentit Bajram Begaj.

“Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të  Republikës propozimet e mëposhtme! Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën  e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese në çdo drejtim”, shkruan Rama.

Në postimin e tij, Rama nuk sqaron arsyet e kësaj lëvizje, por kujtojmë se vendimi vjen pas ngjarjes së regjistruar në Borizanë të Krujës, ku pjesëtar të fisit të deputetit socialist, Rrahman Rraja dhunuan në mënyrë barbare dy kushërinj, pas një konflikti me ta për një gurore.

Më herët e gjithë trupa drejtuese e komisariatit të Krujës është shkarkuar dhe drejtues operacional e përgjegjës për rendin dhe sigurinë në territorin e Krujës është vendosur drejtuesi i parë, Tonin Vocaj.

Dy ditë më parë në media qarkulloi video ku dukeshin vëllezërit e deputetit Rraja dhe djali i tij, Rexhep Rraja i shpallur në kërkim, të pajisur me shkopa gome, ndërsa njëri prej vëllezërve me armë në dorë, teksa ushtronin dhunë ndaj dy vëllezërve të cilët vazhdimisht ishin ankuar se gurorja e familjes Rraja po i shkatërronte shtëpitë nga shpërthimet që kryheshin aty.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi reagoi duke e konsideruar dhunën të papranueshme, teksa theksoi se askush nuk është mbi ligjin dhe nuk mund t’u shpëtojnë përgjegjësive “në asnjë rrethanë”. 

Ndërkohë, deputeti Rraja deklaroi dorëzimin e mandatit dhe largimin nga jeta politike, ndërsa i bëri thirrje djalit të tij që të dorëzohet në Polici.

/rtsh.al/