RTSH 24 Live

Aktualitet

Pjesëtar të fisit të deputetit Rrahman Rraja dhunojnë 2 persona, Çuçi: Askush nuk është mbi ligjin

07/07/2023

Pjesëtar të fisit të deputetit Rrahman Rraja dhunojnë 2 persona, Çuçi: Askush nuk është mbi ligjin

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me ngjarjen e regjistruar këtë të premte (7 korrik) në Borizanë, ku një grup personash, pjesëtarë të fisit të deputetit socialist Rrahman Rraja kanë dhunuar dy kushërinj, Bilbil dhe Jashar Maja.

Në një postim në Twitter, Çuçi e konsideron dhunën të papranueshme, teksa thekson se askush nuk është mbi ligjin dhe nuk mund t’u shpëtojnë përgjegjësive “në asnjë rrethanë”.

"Të rënda e të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë. Askush nuk është mbi ligjin dhe s'mund t'u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë. Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të dyshuarve, ka arrestuar 4 persona sot herët në mëngjes dhe po punon për kapjen sa më parë të 3 të tjerëve të përfshirë në ngjarje. Çdo insinuatë tjetër s'ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit për të çuar autorët përpara drejtësisë", shkruan Çuçi.

Ngjarja u regjistrua paradite e sotme, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë ndërsa janë arrestuar 4 persona dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim. Shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë.

Mes personave që dhunojnë dy kushërinjtë janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja.

/rtsh.al/