RTSH 24 Live

Politikë

Mbylli hetimet për Olsi Ramën, Bardhi kërkesë SPAK: Çfarë provash janë mbledhur?

15 orë para

Mbylli hetimet për Olsi Ramën, Bardhi kërkesë SPAK: Çfarë provash janë mbledhur?

Gazment Bardhi i është drejtuar ditën e djeshme me një kërkesë zyrtare SPAK-ut lidhur me përfundimin e hetimeve për Olsi Ramën, që u denoncua si i përfshirë në atë që quhet dosja “Xibraka”.

Bardhi i ka kërkuar SPAK-ut një kopje të vendimit të prokurorit për përfundimin e hetimeve dhe pushimin e procedimit penal ndaj Olsi Ramës, dhe një kopje të vendimit gjyqësor.

Me tej, ai i ka kërkuar Strukturës së Posaçme që ta informojë mbi veprimet hetimore të kryera, duke përfshirë provat e mbledhura, personat e pyetur dhe dokumentacionin e administruar, si dhe vënien në dispozicion të një kopjeje të vendimit për pezullimin e hetimeve të procedimit penal, me qëllim që të ushtrojë mundësinë e ankimimit të këtij vendimi për pezullim në Gjykatën e Posaçme.  

Po ashtu, Bardhi kërkon të dijë nëse gjatë hetimeve të kryera, SPAK ka bashkëpunuar ose patur ndonjë komunikim zyrtar Prokuroria e Posaçme me Prokurorinë e Hanoverit dhe nëse është pyetur Ministri i Brendshëm Taulant Balla “si person që në datën 4 prill 2024, ka informuar zyrtarisht seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë se është në dijeni se kush është personi i paidentifikuar i moshës 45 vjeç”.

Bardhi i drejton edhe disa pyetje SPAK:

(1) Ka arritur të identifikojë Prokuroria e Posaçme personin e paidentifikuar, të moshës 45 vjeç, përdorues i automjetit me targë AA653DM? Nëse po, kush ishte ky person? Nëse jo, cila është rrethana/prova/e dhëna që ka krijuar bindjen e prokurorit se ky person nuk është Ols Rama? A ka qenë raporti i vëzhgimit policor i datës 13.01.2015, ora 15:50, i shoqëruar me fotografi të personit të paidentifikuar? A mund të na vini në dispozicion këtë raport së bashku me pamjet filmike që e shoqërojnë? (2) Ka rezultuar se shtetasi Ols Rama ishte përdorues i automjetit me targë AA653DM apo AA393FJ, që rezultojnë gjithashtu se janë përdorur në të njëjtën periudhë nga anëtarët e një organizate kriminale të dënuar për trafik droge (shtetasit Genti Xhixho, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj)? Nëse po, sa është numri i hyrje-daljeve të tij me këtë automjet? A ka rezultuar se shtetasi Ols Rama kishte njohje, lidhje apo marrëdhënie shoqërore me personat e përfshirë në dosjen e laboratorit të drogës në Xibrakë? Nëse po, me cilët persona kishte lidhje, njohje apo marrëdhënie shtetasi Ols Rama?

Transparenca e plotë mbi një çështje që paraqet interes publik, që përfshinë persona që sipas perceptimit të opinionit janë të paprekshëm për shkak të fuqisë politike të tyre apo të afërmëve të tyre, vlerësojmë se kontribuon në besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë. Mungesa e informacionit, shmangia e transparencës dhe mbyllja e dosjeve penale pa asnjë transparencë, rrit edhe më shumë perceptimin se drejtësia vijon të ruaj të paprekur individë që gëzojnë pushtet të fortë politik”, përfundon Bardhi letrën e tij drejtuar SPAK.

Të premten (10 janar), SPAK bëri të ditur se nuk ka prova apo fakte që lidhin Olsi Ramën me trafikun e drogës dhe laboratorin e kokainës i zbuluar në Xibrakë, duke pezulluar hetimet.

/rtsh.al/