Kryeministri Edi Rama ka mirëpritur në Kryeministri me një ceremoni zyrtare presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky).
Sikurse u bë me dije edhe nga agjenda zyrtare, kreu i qeverisë shqiptare ka zhvilluar një takim kokë me kokë me presidentin Zelenski. Gjatë mbërritjes së Zelenskit në Kryeministri u vunë re masa të shtuara të sigurisë.
Gjatë takimit kryeministri Edi Rama i ka dhuruar presidentit Zelenski librin e tij me piktura si dhe vëzhguan së bashku ekspozitën e hapur në Kryeministri me titull, ‘Ukraina, një krim lufte’, ku janë ekspozuar 50 imazhe si dëshmi e agresionit rus.
Teksa dy liderët e Shqipërisë dhe Ukrainës vijojnë takimin e përbashkët, në orën 09:30 do të zhvillohet edhe takimi bilateral mes dy delegacioneve, për të vijuar më pas me nënshkrimin e marrëveshjes mes dy vendeve.
Sikurse është njoftuar edhe më herët në agjendën zyrtare, në orën 11:30 kryeministri Rama dhe presidenti Zelenski do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit të “Ukrainë–Europa Juglindore”.
Ndërkaq, në orën 13.30 pritet të mbahet konferenca e përbashkët mes kryeministrit Rama dhe presidentit të Ukrainës.
/rtsh.al/