RTSH 24 Live

Kulturë

Rama në ekspozitën e Bakallit: “Një shfaqje e bukur linjash dhe ngjyrash”. Piktori: Veprat e mia i takojnë Shqipërisë

08/11/2024

Rama në ekspozitën e Bakallit: “Një shfaqje e bukur linjash dhe ngjyrash”. Piktori: Veprat e mia i takojnë Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm të premten në mbrëmje, në çeljen e ekspozitës së piktorit Naxhi Bakalli në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD). Rama, në fjalën e tij, e cilësoi ekspozitën, si një shfaqje të bukur linjash dhe ngjyrash.

“Unë e mbaj mend Profesorin si një personazh hijerëndë, i heshtur, mbrapa kornizës së xhamit të derës së atelies së tij në Liceun Artistik, ku për shkak të gjatësisë, unë shikoja përtej xhamave të dyerve dhe gjithmonë ai ishte aty, i ulur tek ajo tavolina e mësuesit ku edhe vizatonte. Kur e shoh, gjithmonë më kujtohet ajo kohë dhe ajo korniza e xhamit, dhe gjithmonë më duket sikur kthehem në kohë dhe bëhem shumë i vogël përpara tij”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

Sipas tij, sa herë që sheh filma me momente që lidhen me punën e murgjve në miniatura apo në kaligrafi, gjithmonë i kujtohet Bakalli.

“Ka edhe një moment që i lidh të dyja gjërat bashkë, që lidh njeriun me dedikimin ndaj veprës, që do e gjeni diku nga fundi i korridorit, aty ku është një burrë dhe një grua në krevat. Ajo është kartolina romantike e dashurisë së paepur të Profesorit për zonjën, dhe kjo është hera e parë që unë e takoj Profesorin, pa zonjën e tij, që nuk ishte në atë afërsinë një metër të tij. Ku është dashnia, e pyeta? E dashura është tërhequr pak, për t’ia lënë skenën, dashnorit”, tha Rama.

Kryeministri duke folur për gamën e veprave të Bakallit ndër vite, e cilësoi atë si një personazh të rrallë e plot vlera.

“Thashë diçka që lidhet me përmbajtjen e brendshme të asaj që fshihet pas atij personazhit të tablove dhe ajo që i lidh të gjitha së bashku, ku një motiv shumë evident i jetës në komunizëm është marrë dhe është përdorur për të kontrabanduar një mënyrë të të parit të pikturave me anti-formulën e realizmit socialist, deri te punimet më të reja që janë një moment i avancuar i udhëtimit nga fillimi i asaj tabloje. Kur bashkon pikturat me autorin dhe personazhin, e gjitha bëhet plotësisht evidente. Ka një asketizëm dhe një romantizëm në figurën e Bakallit, që e bën atë një njeri të veçantë. Pa beretën legjendare, të kam parë vetëm në dy raste, ose kur ishe në klasë te tavolina afër penxheres dhe e vije beretën te cepi i tavolinës, si atë parzmoren e Skënderbeut kur kthehej nga lufta.”, tha Rama.

Ndërsa artisti Naxhi Bakalli falënderoi të pranishmit që morën pjesë në hapjen e kësaj ekspozite, duke e cilësuar këtë si një moment të rrallë për karrierën e tij.

“Ju jeni njerëzit e mi, njerëzit e të njëjtës problematikë. Punova me njerëzit e kësaj sipërmarrjeje që ishin të hapur në bashkëveprim dhe dialog. Mirënjohje për këtë staf që e çoi evenimentin në këtë pikë! Falënderim për ju që u bëtë pjesëtarë në këtë tërësi emocionuese, pasi vepra e artit me problematikat që ka bën që pjesëmarrja juaj të jetë stimul për mua. Veprat e mia janë shumë të sinqerta, e thonë fjalën e vetë, por nuk e harrojnë kujt i takojnë. I takojnë vendit që edhe ju e doni shumë, një shëmbëlltyrë e një dukurie të avancuar që është e mundur”, tha Bakalli.

/rtsh.al/