RTSH 24 Live

Aktualitet

Rama: Mbështetje për projektet e digjitalizimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe

14/02/2023

Rama: Mbështetje për projektet e digjitalizimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan të martën në Dubai marrëveshjen e bashkëpunimit “Shkëmbim i përvojës në lidhje me Zhvillimin dhe Modernizimin e Qeverisjes”.

Lajmi u bë i ditur në një postim në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama, i cili ndau momente nga nënshkrimi i marrëveshjes mes të dy vendeve.

Marrëveshja u krye gjatë një takimi të zhvilluar me ftesë të zv.presidentit dhe Kryeministrit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Rasheed al Maktoum.

Rama tha se “firmosëm marrëveshjen e bashkëpunimit “Shkëmbim i përvojës në lidhje me Zhvillimin dhe Modernizimin e Qeverisjes”, e cila do të na mundësojë edhe realizimin e projekteve të digjitalizimit me mbështetjen e EBA”.

Kryeministri Rama mori pjesë  në Samitin Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe ku ndodhet për vizitë dyditore, gjatë së cilës do të ketë edhe takime bilaterale.