RTSH 24 Live

Aktualitet

Rama: Ligji për bastet online së shpejti në Kuvend, do ngremë strukturë për industrinë e re

28/03/2023

Rama: Ligji për bastet online së shpejti në Kuvend, do ngremë strukturë për industrinë e re

Ligji për bastet online do të shkojë së shpejti në Parlament. Lajmin e bëri me dije Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë për dekorimin e 7 sportistëve medalistë.

Kreu i qeverisë ka deklaruar se ky ligj, do të jetë një hap i rëndësishëm për të formalizuar këtë aktivitet bastesh, që sikurse thekson ai është informal dhe favorizon paranë e zezë.

Në këtë kuadër, Rama njoftoi ngritjen e një strukture që do të bëjë mbikëqyrjen e funksionimit të kësaj industrie të re dhe ngritjen e një bordi kombëtar me pjesëmarrës, përfaqësues nga qeveria, presidenti i FSHF dhe subjekte të ndryshme.

“Do kalojmë për miratim së shpejti, këto ditë në konsultim publik dhe më pas në miratimin e kuvendit, ligjin për aktivitetet e basteve online.do jetë hap i rëndësishëm për të formalizuar një aspekt të këtij aktiviteti bastesh, që siç e ka treguar eksperienca, nuk kemi mundur ta ndalim. Është një lloj aktiviteti që shfrytëzon hapësirat e pafundme të internetit. Në vend që të mbetet aktivitet informal, të kthehet në aktivitet të formalizuar ku të kenë akses kompanitë ndërkombëtare, mundësi për lojtarët në të gjitha aspektet dhe ku të gjitha të ardhurat do i shkojnë sportit, kulturës dhe teknologjisë.

Do kemi një strukturë të re e cila do bëjë administrimin, mbikëqyrjen e gjithë funksionimit të kësaj industrie të re dhe do kemi një bord kombëtar me pjesëmarrës përfaqësues nga qeveria, presidenti i FSHF për të përcaktuar ndarjen e fondeve në mënyrë periodike sipas projekteve dhe nevojave të federatave sportive, grupeve, subjekteve të ndryshme”, tha Rama.

/rtsh.al/