RTSH 24 Live

Muzikë

Radio Tirana Internacional kremton 85-vjetorin e krijimit të saj

30/11/2023

Radio Tirana Internacional kremton 85-vjetorin e krijimit të saj

Gjatë rrugëtimit të vështirë, por të suksesshëm, Radio Tirana Internacional ka ndërtuar një histori të sajën, gjithmonë në zhvillim, si një pjesëz shumë e rëndësishme e ombrellës së madhe të Radio Tiranës. I veçantë në stil, prezantim dhe arsyetim, seksioni që kalonte barrierat e kufijve zyrtarë me valët ndërkombëtare, është sot reflektim i kujtesës së një institucioni që po shkon drejt një shekulli jetë. Ashtu si në të gjithë transmetuesit publikë ndërkombëtarë, misioni i Radio Tirana Internacional ishte i qartë që në fillim, projektimi i imazhit pozitiv të Shqipërisë, objektiv i pandryshuar në më shumë se 8 dekada histori. Me këtë parullë të pashkruar nisi kjo histori që në fillim të shekullit XX.

Në vitin 1938, njerëzit që me shumë përkushtim dhe pasion hodhën hapin e parë, e dinin shumë mirë se kultura dhe informacioni vendas do të ishin përgjthmonë të cunguar, nëse valët nuk do të përçonin mesazhet e koduara në gjuhët e huaja edhe mijëra km larg, në çdo cep të planetit, ku jetonin shqiptarë dhe njerëz që e admironin Shqipërinë.

Në këtë mënyrë, krahas karakterit informativ, Radio Tirana bëri dhe një ndërthurje të artit dhe kulturës shqiptare me ato ndërkombëtare. Në hapat e parë, Revista Radio Tirana paraqiste skedulin e saj programor në anglisht dhe italisht, ndërsa më pas nisën transmetimet edhe në bullgarisht, rumanisht, turqisht, serbokroatisht dhe greqisht. Pak muaj pas transmetimit të parë, në prag të okupacionit fashist, në prillin e zi të vitit 1939, Gjergj Bubani, drejtor i asaj kohe, bëri thirrjen në disa gjuhë të huaja “Shpëtoni Shqipërinë se po pushtohet nga Italia fashiste”. Ky mesazh ishte sinjali më i fortë i historisë së sektorit të transmetimeve në gjuhë të huaj, në atë moment tragjik që po kalonte vendi.

Gjatë okupacionit nazifashist Radio Tirana nisi të transmetonte në gjuhët e huaja lajme dhe programacione duke pasqyruar gjendjen politike dhe shoqërore të kohës. 

Pas çlirimit të vendit, Radio Tirana ndoqi politikën zyrtare të shtetit të ri. Deri në vitin 1950 transmetoheshin 7 orë e gjysmë program shqip dhe 4 orë në gjuhë të huaja. Më 1952-shin u ndërtua radiostacioni me valë të mesme e të shkurtra, që arrinte në të gjitha kontinentet.

Gjergj Bubani, njeriu poliglot, i arsimuar në perëndim, ka meritën e madhe se hodhi  themelet e Radios së Jashtme.  Lojë e vështirë për njerëzit e asaj kohe. Askush nuk mund të kalonte mbi barrierat ideologjike, ironike për një radio që kufijtë tokësorë i kishte thyer prej kohësh.

Në Radion e Jashtme punonin një numër i madh përkthyesish. Një nga përkthyeset e para ka qenë motra e madhe e Nënë Terezës, Age Bojaxhi. Ajo ishte një njohëse shumë e mirë e disa gjuhëve të huaja. Punoi si përkthyese dhe spikere në seksionin e serbo-kroatishtes që nga viti 1940 deri në vitin 1957, kur atë e larguan nga puna.

Në dy dekadat e para të pas çlirimit, Radio Tirana transmetonte vetëm një emision në ditë në anglisht, frëngjisht, rusisht, italisht, serbisht dhe greqisht. Më vonë, me kalimin e viteve, u shtuan transmetimet edhe në gjuhë të tjera.Transmetimet e saj do të arrinin në 24 gjuhë të huaja, në më se 80 orë programe në ditë.

U rrit kështu vazhdimisht edhe numri i përkthyesve dhe përkthyeseve. Vlen të theksohet se për përkthimin u angazhuan gratë e huaja të martuara në Shqipëri, që vinin nga shtete të ndryshme, kryesisht nga ish kampi socialist si p.sh. Tamara Gaci, Inga Tarasova, Janka Selimi etj. Vala e dyshimeve politike ndaj këtij kontingjenti, çoi në kohë të herëpashershme largimin e një pjese prej  tyre nga institucioni i Radios duke dëmtuar cilësinë  e përkthimit në këto gjuhë.

Çdo emision kishte dy deri në tre përkthyes, që zakonisht merreshin me përkthimin e artikujve dhe komenteve politike të shkruara nga redaktorët e Radios së Jashtme. Shumë prej tyre ishin edhe spikerë apo spikere të materialeve, që përkthenin. Materialet regjistroheshin fillimisht në shirita magnetikë dhe pastaj bëhej transmetimi i tyre nga studio të ruajtura nga policë të shërbimit. Hyrja në këto studio ishte rreptësisht e kontrolluar.

Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Radio e Jashtme  do të niste emisione në çekisht, hungarisht, për të vazhduar në gjuhë të tjera, si polonisht, portugalisht e spanjisht. Deri në vitin 1969, kishte 52 transmetues, tetë prej tyre me valë të shkurtra dhe Radio Tirana transmetonte në 17 gjuhë.

Shërbimi i jashtëm Radio Tirana ishte një nga transmetuesit më të mëdhenj në Evropë, që funksiononte në 1395 kHz dhe transmetonte në 20 gjuhë të huaja, përveç shqipes, që synonte shqiptarët jashtë vendit. Këto transmetime ishin në gjuhët: kinezisht, arabisht, turqisht, serbo-kroatisht, polonisht, çekisht, hungarisht, rumanisht, italisht, portugalisht, indonezisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, suedisht, spanjisht, persisht, rusisht, greqisht dhe bullgarisht, si mënyra e vetme që regjimi diktatorial të eksportonte propagandën e vet ideologjike. 

Gjatë 45 viteve të regjimit  komunist, në Radion e Jashtme u aktivizuan si përkthyes e spikerë edhe individë të huaj. Aktiviteti dhe angazhimi i tyre zgjati për një periudhë të caktuar kohe (përgjithësisht 2 deri në 4 vjet), më pas ata u kthyen në vendin e tyre dhe u zëvendësuan nga çifte të tjera. Ata ishin pjesë e makinerisë propagandistike të regjimit komunist edhe për të transmetuar zërin dhe sukseset e Shqipërisë socialiste në botë.

Në vitin 1987 transmetoheshin çdo ditë 66 orë programe në 20 gjuhë të huaja. Mbizotëronte propaganda politike dhe përfshinte: “Prezantimi i Shqipërisë”, “Letrat e dëgjuesve”, “Kultura dhe Arti në Shqipërinë socialiste” dhe “Kënga e jetës sonë”. Radio Tirana transmetonte gjithashtu programe të muzikës revolucionare nga e gjithë bota, ndërsa programi “Çfarë pamë në Shqipërinë socialiste” ofronte intervista me vizitorë të huaj në Shqipëri.

Emisionet kalonin në disa filtra. Materialet kontrolloheshin nga redaktorë besnikë dhe më pas përktheheshin. Përkthimi kontrollohej nga kolegët e huaj e më pas niste regjistrimi në studio me nga 2 vëzhgues për secilën gjuhë, të cilët dëgjonin emisionet, bënin vërejtjet dhe i korrigjonin përpara se të transmetoheshin.

Dëshmi e gjallë për shtrirjen globale të Radio Tiranës janë dorëshkrimet, letrat që mbërrinin në adresë të radios. Ishte një det i madh letrash të cilat sigurisht që fillimisht kontrolloheshin e më pas dorëzoheshin në zyrat e Radio Tirana Internacional.

Shumica e letrave që i vinin Radio Tiranës nga jashtë nuk ishin jo vetëm nga dëgjues admirues të kohës, por edhe nga radio amatorë, nga klube dëgjimi me gati 40 anëtarë, entuziastë të radios në valë të shkurtra etj. Kjo ndihmonte në kontaktimin me njerëz në të gjitha kontinentet, një mënyrë e mirë për të eksploruar botën magjepsëse të komunikimeve radiofonike. Dhe Radio Tirana Internacional e arrinte më së miri këtë mision. 

Ky shërbim modest radiofonik e çonte sinjalin e vet deri në Singapor, Sri-Lankë, Tajlandë, Japoni, Kinë, Kore e Jugut, Tajvan, Bolivi, Brazil, Indi, ku asnjë rreze drite shqiptarie nuk arrinte të depërtonte. Ky fakt e bën Radio Tiranën një nga institucionet më të veçantë të historisë së radios botërore.  

Gjatë vitit 1979 kishin ardhur 8.348 letra nga 99 vende të botës. Shumica nga Evropa (5974), sidomos nga Gjermania Perëndimore (2092), Italia (872), Anglia (573), Spanja (300), Finlanda (374), Franca (374), Suedia (311), Gjermania Lindore (252) dhe Zvicra (152). Qindra të tjera vinin nga Azia, 262 letra nga Japonia, Afrika, Oqeania, si dhe 66 nga Amerika e Veriut dhe e Jugut. 

Në letrat e tyre dëgjuesit dërgonin QSL, raporte dëgjimi (një kartolinë tipike) dhe dërgoheshin nëpërmjet postës. Çdo QSL përmbante një raport sinjali, detaje rreth stacionit, dëgjimit, kohës dhe datën kur ndodhi (zakonisht specifikohej në UTC), frekuencën e radios ose brezin e përdorur etj. 

Në fund të letrave të tyre ishte rubrika "Komente". Dëgjuesit bënin vlerësime mbi përmbajtjen e emisionit radiofonik, shpesh vlerësime edhe për punën e stafit të RTI-së dhe sigurisht pyetje për këtë vend të vogël, ku në mediet e tyre flitej pak ose aspak. Pra letrat ishin një botë më vete. Histori të çuditshme të dëgjuesve, jo vetëm për vendin e tyre, por edhe histori personale.

Mijëra e mijëra letra. Ky arkiv është dëshmia më e saktë e faktit që Radio Tirana Internacional ishte pishtari i vetëm që hidhte sadopak dritë tek të huajt mbi faktin që diku në një cep të harruar të Ballkanit vazhdonte jetën normale edhe një popull tërësisht i izoluar.  

Kohë të tjera, të arta sigurisht për nostalgjikët, një univers paralel që mund të kuptohet vetëm nga ata që e jetuan. 

Gjatë muajve të fundit të epokës socialiste, programet politike u zvogëluan në mënyrë drastike dhe praktika e krijuar prej kohësh për të vendosur "The International" në fund të çdo transmetimi u ndërpre. 

Pas rënies së regjimit, shërbimi i radios së huaj u reduktua në shtatë gjuhë dhe vetëm tre orë në ditë, në turqisht, serbisht, greqisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht dhe anglisht.

Sot Radio Tirana është një kompleks i organizuar që transmeton programe online.

Radio Tirana Internacional ka kaluar shume sfida gjatë rrugëtimit të saj. Një nga këto sfida ka qenë kalimi nga valë të shkurtra në transmetimet online.

 Radio Tirana Internacional ka operuar tradicionalisht me valë të shkurtra deri në vitin 2017, si një mënyrë dominuese të shpërndarjes së sinjaleve të saj, por tani përfshihen shumë teknologji, interneti dhe sateliti në shtëpi.

Sigurisht që nuk ka dyshim se radio ka bërë një rrugë të gjatë ndër vite. Ajo ka parë dhe ka kaluar nëpër shumë sfida dhe ende ka arritur të dalë në krye, duke mbetur me krenari një medium i dëgjuar edhe sot.

Në epokën digjitale, një nga sfidat e rëndësishme me të cilat përballet RTI ashtu si dhe radiot e tjera publike kudo në bote është fragmentimi i audiencës. Me përhapjen e platformave digjitale dhe rritjen e përmbajtjes sipas kërkesës, dëgjuesit kanë një shumëllojshmëri opsionesh për të zgjedhur, duke zbehur shtrirjen dikur dominuese të radios, duke rezultuar në një ulje të audiencës masive tradicionale dhe një sfidë për RTI-në për të kapur dhe ruajtur dëgjueshmërinë.

Radio Tirana Internacional është një radio me tipare të konsoliduara kombëtare.Misioni i Radio Tirana Internacional është promovimi i Shqipërisë, perspektivave të saj.

Gazetarët e RTI-së nxjerrin një produkt ditor për dëgjuesin si: Lajme ditore; kalendar historik; folklori shqiptar; figura shqiptare, që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme; guida turistike, ku i ofrojmë informacion dëgjuesit të huaj lidhur me destinacionet kryesore turistike në Shqipëri, si një bazë e shkëlqyer për të eksploruar vendin tonë; muzikë të lehtë dhe popullore, kuptohet të shoqëruara me informacion të bollshëm. Pra është një promovim i vlerave historike, arkeologjike, kulturore, bukurive natyrore, i vlerave turistike, zhvillimit ekonomik, ndryshimeve drastike dhe dinamike që ka pësuar Shqipëria ndër vite.

 Është një Radio që pasqyron qëndrimin e qeverisë dhe shtetit shqiptar për çështje kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, pra vlerësohet si një mjet për rritjen e imazhit kombëtar të Shqipërisë.

Objektivi i RTI-së sot është që të jete një shërbim i vlerësuar, jetik dhe i gjallë dhe të shfrytëzojë mundësitë e reja për t'i shërbyer audiencës.  Audienca e para. Ky është parimi i RTI. 

Kjo është RTI, e vogël, por e vlerësuar me zërin e saj në tregun e madh mediatik!

Gazetarët: Olsi Karagjozi dhe Klara Saliu

/rtsh.al/