RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Qeveria e re maqedonase mund të votohet javën tjetër pas festës së Bajramit

11/06/2024

Qeveria e re maqedonase mund të votohet javën tjetër pas festës së Bajramit

Qeveria e re maqedonase pritet të formohet javën e ardhshme, pas festës së Bajramit, ka konfirmuar kryetari i Lidhjes Demokratike, Izet Mexhiti.

Partia e z. Mexhiti bën pjesë në koalicionin VLEN, i cili së bashku me partinë e madhe VMRO-DPMNE siguruan shumicën e mandateve parlamentare në zgjedhjet e 8 majit.

Vetë kryetari i LD-së thotë se nisur nga negociatat paraprake ai do të zëvendëskryeministri i parë i kabinetit të ri, si dhe ministër i Mjedisit.

"Unë dhe Arben Taravari sipas të gjitha gjasave do të jemi në ekzekutiv. Taravari sërish do të udhëheqë ministrinë e Shëndetësisë. Do të kemi dy zëvendëskryeministra shqiptare në ekzekutivin e ri. Për eurointegrimin këto ditë duhet të vendosë Alternativa. Për ekonominë dhe politikat sociale, të vendosë Besa," deklaroi z. Mexhiti për televizionin "Alsat", duke iu referuar partnerëve në koalicion.

Lëvizja Demokratike hyri në skenën politike maqedonase si një parti e re vetëm vitin e kaluar. Z. Mexhiti tha se ajo mbetet një parti parimore, ndërsa zërave se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i Ali Ahmetit po përpiqet t'i afrohet VMRO-së për t'u mbrojtur nga përndjekja në opozitë, ai i quajti "akrobacira".

"Kjo qeveri ka stabilitet në numra, si ndoshta asnjë qeveri deri tash prej viteve '90. Prandaj mendoj se janë të kota këto lëvizje dhe këto akrobacione politike," u shpreh ai.

Presidentja maqedonase mandatoi të enjten e shkuar Hristijan Mickoskin për të formuar qeverinë e re si fituesi i zgjedhjeve. 58 mandateve të fituara nga VMRO-ja e tij i shtohen 14 deputetë nga koalicioni VLEN dhe gjashtë nga të majtët e ZNAM-it. Votimi i qeverisë kërkon mbështetjen nga dy të tretat e parlamentarëve, ose 80 nga 120 anëtarët e tij. /Alsat, AP

/rtsh.al/