RTSH 24 Live

Rajon

Protestat në Serbi, shefi i kabinetit të Osmanit: Pjesëmarrja masive tregon se propaganda e Vuçiç nuk ka më peshë

10/06/2023

Protestat në Serbi, shefi i kabinetit të Osmanit: Pjesëmarrja masive tregon se propaganda e Vuçiç nuk ka më peshë

Dhjetra mijëra qytetarë serbë u mblodhën një ditë më parë në qendër të Beogradit, ku kërkuan dorëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiç si dhe paralajmëruan radikalizimin e protestave të tyre paqësore nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre që kanë lidhje me dy sulmet me armë që iu morën jetën 18 personave muajin e shkuar. 

Protestuesit mbanin pankarta dhe postera të presidentit Vuçiç dhe aleates së tij të ngushtë kryeministres Ana Brnabic të veshur me uniforma burg.

Ata thërrisnin Vuçiç largohu, ndërsa organizatorët e protestës këmbëngulën në përmbushjen e protestave të tyre, mes të cilave dorëheqja e zyrtarëve të lartë të sigurisë së vendit dhe heqja e të drejtave të transmetimit kombëtar për mediat pro qeveritare që promovojnë dhunën.

Protesta e së premtes është e gjashta e mbajtur në kryeqytetin serb që nga sulmet me armë të majit. 

Për protestën e Beogradit reagoi edhe shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Blerim Vela, i cili përmes një postimi në Twiter, është shprehur se pavarësisht pretendimeve paranojake të regjimit të Vuçiç-it se Kosova po nxit protesta, populli i Serbisë e ka parë këtë propagandë dhe ka dalë të protestojë masivisht. “Kjo qartësisht tregon se fjalët e Vuçiç dhe propaganda e tij nuk kanë më peshë”, theksoi Vela.

Gazetare: Elda Pepa

/RTSH/